×
  • Lajme
  • Lajme

    Shpronësimi në Hade dhe Shipitullë, 3 vjet zvarritje

    Reporteri
    27 Mars 2019 | 16:52

    Në fund të vitit të kaluar, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj kishte arritur marrëveshje për shpronësimin e banorëve nga pronat e tyre në Hade dhe Shipitullë.


    Në këto zona do të bëhet zgjerimi i mihjes sipërfaqësore për eksploatim të thëngjillit për prodhim të energjisë elektrike për nevoja të Korporatës Energjetike të Kosovës.

    Por, përkundër që janë bërë gati tre vite, ende nuk ka përfunduar i tërë procesi i zhvendosjes të të gjithë banorëve nga ato zona.

    Nga rreth 52 hektarë tokë, të cilat tashmë janë shpronësuar, e vlera e të cilave ka kapur shumën rreth 19 milionë euro, tani pritet që të shpronësohen edhe 120 hektarë, të cilat janë në proces të regjistrimit të patundshmërive të banorëve të atyre zonave.

    Zëdhënësi për media i Korporatës Energjetike të Kosovës, Skënder Buclolli, ka thënë për lajmi.net se procesi i parë i zhvendosjes ka përfunduar ndërsa, janë në proces edhe të projektit të dytë.

    Procesi i parë i zhvendosjes i cili ka përfunduar dhe përfshin zonat kadastrale Hade dhe Shipitullë i tërë procesi i zhvendosjes në zonën 52 hektarësh është kompensuar në tërësi.

    “Procesi zhvendosjes në projektin e parë 52 Hektarësh ka përfshirë gjithsejtë 255 – (PNP) banorë të afektuar në projekt, në zonat kadastrale Hade dhe Shipitullë KK-Obiliq, i tërë procesi i zhvendosjes në zonën 52 hektarëshe, përfshi Zonat Kadastrale Shipitullë dhe Hade prej: 254 PNP (pronar të ndikuar në projekt) është kompensuar në tërësi, patundshmëritë nga personat fizik janë bartur në operatin kadastral në pronësi të KEK.sh.a”, ka thënë Bucolli.

    Ai po ashtu ka thënë se janë në proces edhe të projektit të dytë, i cili përfshin 120 hektarë tokë dhe prek zonat kadastrale, Shipitullë , Hade, Sibovc, Vodic dhe Leshkoshiq.

    “Sa i përket projektit të dytë, ju njoftojmë se procesi i zhvendosjes në zonën 120 hektarësh përfshirë zonat kadastrale: Shipitullë , Hade, Sibovc, Vodic dhe Leshkoshiq, KK-Obiliq sipas elaboratit Divizionit të Prodhimit të Qymyrit (DPQ) përfshinë gjithsejtë 278 PNP (pronar të ndikuar në projekt)”, ka thënë Bucolli tutje.

    Ai po ashtu ka thënë se Komisioni i KEK-ut është duke vazhduar me regjistrimin dhe incizimin e patundshmërive me banor dhe deri me tani ka përfunduar regjistrimi i rreth 85 për qind të patundshmërive, përshirë edhe zhvendosjen fizike.

    “Aktualisht, Komisioni i KEK-ut ende është duke vazhduar me regjistrimin dhe incizimin e patundshmërive me banor që po pranojnë incizimin, deri më tani komisioni i KEK-ut së bashku me banorët e afektuar në projekt ka përfunduar regjistrimin në rreth 85% të patundshmërive. Përfshirë këtu zhvendosjen Fizike ( strukturat e banimit me objektet përcjellëse) si dhe zhvendosjen Ekonomike (përfshi toka dhe kultura tjera bujqësore në patundshmëri)”, ka thënë ai.

    Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kishte arritur një marrëveshje me banorët e fshatrave Shipitullë dhe Hade, më 13 shtator 2017, për çështjen e shpronësimit të pronave më thëngjill që janë të domosdoshme për furnizim të Kosovës me energji elektrike përmes Korporatës Energjetike e Kosovës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!