×
  • Lajme
  • Lajme

    “Shqetësuese që Lista Serbe s’i dënoi”, “Qeveria e Kosovës të mbrojë qytetarët” – ambasadorët reagojnë për djegien e veturave me targa RKS në veri

    Reporteri
    02 Prill 2023 | 22:02

    Ditëve të fundit në veri të Mitrovicës, u është vënë zjarri disa veturave me targa RKS, si dhe ka pasur sulme ndaj zyrtarëve policorë.

    Lidhur me këto raste, policia ka arrestuar M.B i cili dyshohet edhe për sulmin me armë ndaj Policisë së Kosovës ku mbetën të plagosur dy policë.

    Si rezultat i këtyre zhvillimeve, zyrtarët e lartë shtetëror të Serbisë dhe udhëheqësit e Listës Serbe kanë paralajmëruar “rezistencë” nëse nuk lirohet M.B.

    Përveç institucioneve të Republikës së Kosovës për djegien e veturave me targa RKS kanë reaguar edhe ambasadorët në Kosovë, të SHBA-së dhe Gjermanisë.

    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka deklaruar sot se Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vazhdimësi i kanë dënuar djegiet kriminale të veturave në veri të Kosovës.

    Ai ka shkruar në Twitter se Qeveria e Kosovës ka përgjegjësi t’i mbrojë qytetarët e saj dhe të sigurojë llogaridhënie “për këto vepra kriminale”.

    “SHBA-të vazhdimisht e kanë dënuar djegien kriminale të veturave në veri të Kosovës. Qeveria e Kosovës ka përgjegjësi të mbrojë qytetarët e saj dhe të sigurojë llogaridhënie për këto vepra kriminale”, shkroi Hovenier.

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde e ka quajtur shqetësues faktin që Lista Serbe nuk i ka dënuar djegiet e veturave të qytetarëve serbë në veri, të cilët i kanë regjistruar ato me targa RKS.

    Ai ka potencuar se të gjithë duhet të jemi bashkë për të dënuar praktikën e tillë.

    “Pse? Shumë shqetësues fakti që Lista Serbe sërish nuk i ka dënuar zjarrvëniet në automjetet e qytetarëve. Të gjithë duhet të jenë të bashkuar për ta dënuar këtë praktikë”, ka shkruar Rohde në Twitter.

    Ditëve të fundit në veri të vendit janë djegur vetura të qytetarëve serbë të cilët i kanë regjistruar ato me targa RKS. Ndërsa sot Policia është sulmuar me mjet shpërthyes në veri.

    Djegia e veturave RKS në veri dhe arrestimi i të dyshuarit, krejt çka dihet deri tani

    /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!