Policia e shtetit shqiptar ka arrestuar në flagrancë dy nga të plagosurit e ngjarjes së rëndë që ndodhi dje në Velipojë, ku si pasojë e një konflikti për të drejtën e hapësirës ranore pranë hoteleve të tyre u vranë katër persona.
Bëhet fjalë për Hasan Ferracakun, 54-vjeç, lindur në Trush dhe banues në Pulaj, Velipojë, si dhe nipi i tij shtetasi Elmilind Dyli, 17-vjeç, lindur e banues në fshatin Guri i Zi të Shkodrës.
Dy shtetasit që ndodhen në Spitalin e Traumës në Tiranë, janë të dyshuar për kryerjen e veprave penale vrasja në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave dhe prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit, e kryer në bashkëpunim.
Po ashtu, janë shpallur në kërkim vëllezërit A. V., Sh. V. dhe B. V., banues në Pulaj të Velipojës, të dyshuar si bashkautorë në këtë ngjarje, për kryerjen e veprave penale vrasja në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave dhe prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit, në bashkëpunim.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dy armë zjarri pistoleta, njëra prej të cilave u gjet në vendngjarje, ndërsa tjetra u gjet gjatë kontrollit në hotelin e familjes Gocaj.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rasti, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në konfliktin me armë, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit në Facebook.