Më datë 5 të këtij muaji një 21 vjeçar mbeti i vdekur pasi shoku i tij i fëmijërisë e vrau me thikë në mes të një rruge në qytetin e Bulqizës. Policia arriti ta kapë personin e dyshuar për vrasjen e të riut pas rreth një ore kërkimi.
Fatjon Keta ra në pranga dhe pavarësisht aktit të rëndë i cili dyshohet se ka nisur për motive banale, 22 vjeçari nuk ka treguar asnjë shenjë pendese.
I rimarrë sërish në pyetje nga oficerët e policisë gjyqësore në Dibër, Fatjon Keta është shprehur se nuk ndihet aspak i penduar, madje se nëse do të kishte mundësi, do të kishte vrarë dhe disa persona të tjerë që e shanin dhe kërcënonin çdo ditë.
“Nuk jam penduar fare për vrasjen e Arlind Pashës. Ai dhe të tjerë si ai më shanin dhe kërcënonin çdo ditë. Po të kisha mundësi, do të vrisja dhe të tjerë. Boll i kam duruar”, është shprehur 22-vjeçari.
Kujtojmë se Fatjon Keta është përcjellë vitin e kaluar në spitalin psikiatrik në Shkodër pasi kishte shfaqur shenja të vuajtjes nga shëndeti mendor.
Gjatë dorëzimit të tij drejt spitalit, ai u ka thënë mjekëve “se do më njohë Arlind Pasha e shokët e tij se kush jam”, një shenjë që në atë kohë nuk ishte marrë si një sinjal për atë që ndodhi pak ditë më parë, ku i riu i është afruar 21 vjeçarit dhe e ka lënë të vdekur duke e goditur disa herë me thikë.