Një 23-vjeçar në Vlorë është vënë në pranga, pasi kishte montuar në një pajisje me telekomandë 500 gramë eksploziv, për ta shpërthyer në distancë.
“Të riut me iniciale D. S. në banesë iu sekuestruan 500 gramë eksploziv i montuar në një pajisje me telekomandë, 1 armë zjarri automatik, 1 armë zjarri pistoletë me silenciator, 1 armë gjahu, 38 fishekë luftarakë për pistoletën dhe automatikun, 2 uniforma policie, lëndë narkotike kanabis, 2 aparate celulare dhe 1 automjet tip “Volkswagen”.’, raporton Top Channel.
Dyshohet se i riu është pjesë e një grupi kriminal që po përgatitej për një krim të rëndë.
Mbi 23-vjeçarin rëndojnë veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Njoftimi i plotë:
Vlorë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Strike”.
Parandalohet një ngjarje e rëndë kriminale, në qytetin e Vlorës.
Sekuestrohen 500 gramë eksploziv i montuar në një pajisje me telekomandë, për t’u shpërthyer në distancë.
Gjithashtu, sekuestrohen 2 armë zjarri, 1 armë gjahu, municion luftarak, lëndë narkotike, veshje si të Policisë dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Arrestohet në flagrancë 23-vjeçari që i mbante të fshehura në banesën e tij.
23-vjeçari dyshohet të jetë pjesë e një grupi kriminal që po përgatitej për një krim të rëndë.
Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Vlorë, në bashkëpunim dhe me strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative se një 23-vjeçar, i cili dyshohet të jetë pjesë e një grupi kriminal, në qytetin e Vlorës, mbante të fshehura në banesë, armë zjarri të llojeve të ndryshme, me të cilat dyshohet se do të kryhej një krim i rëndë, kanë organizuar operacionin policor të koduar “Strike”, duke angazhuar shërbime të shumta policie.
Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
– D. S., 23 vjeç, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, në lagjen “Bashkimi”, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 500 gramë eksploziv i montuar në një pajisje me telekomandë, për t’u shpërthyer në distancë, 1 armë zjarri automatik, 1 armë zjarri pistoletë me silenciator, 1 armë gjahu, 38 fishekë luftarakë për pistoletën dhe automatikun, 2 uniforma policie, një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, 2 aparate celulare dhe 1 automjet tip “Volkswagen”.
Për shkak të sekretit hetimor, duke qenë se ngjarja është në hetim, nuk jepen detaje të tjera në lidhje me motivet dhe objektivin e synuar. Vijon puna hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, për identifikimin e shtetasve të tjerë që do të bashkëpunonin me shtetasin D. S. dhe për dokumentimin e plotë të këtij rasti.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale.