Një 35-vjeçar u arrestua, pasi akuzohet se ka përdhunuar një të re në Lushnje.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë, ndaluan shtetasin V. F., 35 vjeç, banues në Savër, Lushnjë.
Ky shtetas dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me një shtetase 26-vjeçare.
Burimet tregojnë se dy të rinjtë e kishin lënë të pinin kafe por gjatë bisedës 35-vjecari i ka propozuar të rrinin më gjatë bashkë.
Fillimisht edhe 26-vjecarja ka pranuar të qëndrojë me të, por, kur ai i ka kërkuar të kryejnë marrëdhënie seksuale, ajo ka kundërshtuar duke bërë që burri të përdorë forcën për të abuzuar seksualisht me të. Ky veprim ka detyruar 26-vjeçaren t’i drejtohet Policisë së Lushnjës.
Sakaq, grupi hetimor i ngritur për zbardhjen e kësaj ngjarjeje ka marrë edhe dëshminë e 26- vjeçares, e cila ka treguar se si ka abuzuar 35-vjeçari teksa kishin dalë për takim.
Ndërkohë, 35-vjeçari gjatë marrjes në pyetje mësohet të jetë shprehur se nuk ka vepruar pa dëshirën e vajzës. Sipas tij, ajo është duke gënjyer për këtë rast, pasi gjithçka ka ndodhur me dëshirën e të dyve. M.R