Katër persona kanë humbur jetën dhe dy të tjerë kanë mbetur të plagosur në një aksident automobilistik që ka ndodhur mëngjesin e sotëm rreth orës 08:23 në autostradën Fier-Vlorë.
4 viktimat janë anëtarë të një familje. Ata udhëtonin me makinën tip Toyota kur u përplasën nga pas nga një automjet tjetër tip Audi. Për pasojë, 4 persona që udhëtonin me makinën Toyota me targa greke humbën jetën. Viktimat janë bashkëshortët dhe 2 fëmijët e tyre të mitur.
Ndërsa, janë plagosur edhe shoferi dhe pasagjeri i makinës tjetër tip Audi. Ata janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore. Si pasojë e përplasjes së forta, dy makinat dolën tërësisht nga karrexhata dhe përfunduan në anë të rrugës.
Aksidenti fatal ndodhi në vendin e quajtur “Kripa” pranë fshatit Panaja të Vlorës. Forca të shumta policie shkuan në vendngjarje.
Grupi hetimor po kryen veprimet e mëtejshme për sqarimin e rrethanave të aksidentit, identifikimin e viktimave dhe të personave të plagosur.
“Rreth orës 08:23, në autostradën Fier-Vlorë, në vendin e quajtur “Kripa”, një mjet tip “Audi” është përplasur me një mjeti tip “Toyota ”. Si pasojë e aksidentit, 3 shtetasit që udhëtonin me mjetin “Toyota” (dy të rritur dhe një fëmijë i mitur) kanë ndërruar jetë. Gjithashtu janë dëmtuar dhe dy shtetasit që udhëtonin në mjetin “Audi” (drejtuesi dhe pasagjeri), të cilët po transportohen në spital, për ndihmë mjekësore. Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po kryen veprimet e mëtejshme për sqarimin e rrethanave të aksidentit, identifikimin e viktimave dhe të personave të plagosur”, njofton Policia e Vlorës në informacionin paraprak. /tvklan.al