Një grup alpinistësh kanë humbur rrugën malin Murgana në fshatin Sotirë në Dropull afër kufirit me Greqinë, duke mbetur të bllokuar për disa orë.
Njëri prej alpinistëve është rrëzuar dhe ka lënduar këmbën. Kanë qenë vetë aplinistët ata që kanë telefonuar në sallën e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër ku kanë kërkuar ndihmë.
Shërbimet e postës policore në Dropull kanë shkuar menjëherë në ndihmë të tyre dhe aktualisht ata po ndihmohen për t’u transportuar drejt fshatit Sotirë. Raportohet se asnjë prej tyre nuk ka rrezik për jetën.
“Në sallën e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër ka ardhur një telefonatë se disa alpinistë ndodhen në malin Morgan, mbi fshatin Sotirë dhe kanë nevojë për ndihmë pasi shtetasi E. K., rreth 17 vjeç është rrëzuar dhe ka dëmtuar këmbën.
Menjëherë pas njoftimit janë nisur për në malin Morgan, forcat Shqiponja të DVP Gjirokastër, shërbimet e Postës së Policisë Dropull dhe Forcat e Ushtrisë për tiu ardhur në ndihmë këtyre shtetasve. Aktualisht këta shtetas po ndihmohen nga shërbimet e policisë, ku po transportohen me mjetet e policisë drejtë fshatit Sotirë dhe asnjë prej tyre nuk ka rrezik për jetën”, thotë policia.