×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Apeli ia ktheu vulën e PD-së Sali Berishës, SHBA: Pozicioni ynë për ‘non-gratat’ s’ka ndryshuar

    Reporteri
    14 Qershor 2024 | 12:57

    Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka komentuar vendimin e Gjykatës së Apelit për t’i rikthyer vulën e Partisë Demokratike ish-kryeministrit, Sali Berisha, raporton Gazeta Online Reporteri.net.

    Në një prononcim për TCH, nga ambasada amerikane kanë konfirmuar qëndrimin e pandryshuar se nuk angazhohet me personat e shpallur ‘non-grata’.

    Pozicioni ynë në lidhje me individët e shpallur non-grata mbetet i pandryshuar: ne nuk angazhohemi me persona të shpallur sipas autoritetit të sanksioneve të SHBA dhe të gjithë duhet të shqyrtojnë me kujdes se si punojnë me individë të shpallur nga SHBA”, thuhet në përgjigjen e SHBA-së.

    Nga ambasada e SHBA-së pohojnë se angazhimet e tyre me aktorët politikë do të mbështeten fort te përkushtimi ndaj të ardhmes euro-atlantike të Shqipërisë.

    Angazhimet tona me aktorët politikë do të mbështeten fort tek përkushtimi që ndajmë ndaj së ardhmes euro-atlantike të Shqipërisë, përfshi sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.

    Siç ka vërejtur Presidenti Biden në mënyrë të përsëritur, lufta kundër korrupsionit është një çështje e sigurisë kombëtare për Shtetet e Bashkuara”, thuhet më tej në reagimin e ambasadës.

    Kujtojmë që pak ditë më parë, Gjykata e Apelit vendosi që vula e Partisë Demokratike t’i kalonte Rithemelimit, grupimit të Sali Berishës.

    Gjykata e Apelit vendosi mos pranim të ankimimit të Enkelejd Alibeajt me vendim unanim nga të tri gjyqtaret.

    Në 27 dhjetor të vitit të kaluar Gjykata e Lartë riktheu për rishqyrtim vendimin e dhënë nga Agron Zhukri që njihte si kryetar të Partisë Demokratike Sali Berishën.

    Në arsyetimin e dhënë nga Gjykata e Lartë theksohet se në vendimin e dhënë, janë bërë shkelje proceduriale duke u interpretuar gabim normat dhe ligji procedurial.

    Ndryshe, në maj të vitit 2021 ish-kryeministri Berisha dhe familja e tij janë shpallur ‘non-grata’ nga SHBA.

    Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, kishte deklaruar se Berisha dhe familja e tij janë shpallur zyrtarisht të papërshtatshëm për të hyrë në SHBA dhe prandaj edhe ju ndalohet hyrja në vend.

    Blinken pati thënë se “veprat e korrupsionit të ish-presidentit të Shqiëprisë, Sali Berisha, minojnë demokracinë në Shqipëri”.

    Përveç nga SHBA-ja, Berisha në vitin 2022 është shpallur ‘non-grata’ edhe nga Britania e Madhe.

    Ai pati deklaruar se ky lajm i është bërë i ditur përmes një letre Home Secretary, ku theksohet se ky vendim është marrë për “lidhje të qarta me grupe të krimit të organizuar dhe kriminelë, të cilët kanë paraqitur një rrezik për sigurinë publike në Shqipëri dhe në MB dhe, se ju jeni i gatshëm t’i përdorni këto lidhje për të avancuar ambiciet tuaja politike, si edhe për korrupsionin”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!