Ekzekutori që e vëzhgoi për gati 3 muaj derisa plotësoi të gjitha kushtet për ta vrarë politikanin lokal dhe biznesmenin Ardian Nikulaj në Shëngjin u lokalizua dhe arrestua në Marok 19 ditë pas krimit.
Në momentin që autoritetet policore marokene ndërhynë për ta arrestuar, ai ishte i vetëm në një lokal në kryeqytetin Rabat. Portugezi nuk bëri rezistencë kur pa se ishte rrethuar dhe u prangos.
Pas arrestimit Maroku ka kërkuar informacion nga autoritetet shqiptare lidhur me Ruben Saraivën.
Autoritetet e Marokut kanë dërguar një mesazh të hënën drejtuar Interpol Tiranës, me përmbajtje:
“Lidhur me shtetasin Ruben Saraiva, i cili kërkohet nga ju për vrasje, a është kërkimi i vlefshëm? Nëse po, ju lutem na vini në dispozicion praktikën. Ai është arrestuar nga ne dhe po mbahet në paraburgim”.
Për Ruben Saraivën pritet të nisin procedurat e ekstradimit drejt Tiranës, edhe pse do të jetë një proces i vështirë pasi Shqipëria dhe Maroku nuk kanë një marrëveshje ekstradimi midis tyre.
Megjithatë, të qenit shtetas i huaj, në rastin konkret jo maroken, Shqipëria do të përdor të gjitha manovrat ligjore të konventave ndërkombëtare për të bindur shtetin afrikano-verior për të pasur një përgjigje pozitive ekstradimi./Express