Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka thënë se në strukturat e partisë nuk do të lejohen njerëz që turpërojnë shoqërinë shqiptare dhe që kanë lidhje me historinë e dhimbshme të shqiptarëve.
Basha ka thënë në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të shtunën, se Partia Demokratike do të jetë partia më e pastër, duke theksuar se si do të jetë PD-ja sot, do të jetë Shqipëria nesër.
“Do të na duhet të provojmë sot se çfarë do Shqipëria dhe ne do t’ua provojmë, do të jemi partia më e pastër në Shqipëri në përbërje të saj, duke mos lejuar në radhët tona dhe në ekipet drejtuese të partisë, njerëz që turpërojnë shoqërinë shqiptare. Ne duhet të biem dakord sot për këtë standard që do të përfshijë këto kategori. Nuk do të lejojmë në strukturat drejtuese, njerëz që kanë lidhje me historinë e dhimbshme të shqiptarëve, që ka qenë diktatura komuniste e Enver Hoxhës, historia e gjenocidit komunist në Shqipëri nuk do të gjejë kurrë asnjë personazh që ka lidhje me atë regjim dhe atë parti. Nuk do të lejojmë në strukturat drejtuese të PD-së njerëz të inkriminuar në çfarëdo veprimtarie kriminale gjatë këtyre 30 viteve”, ka thënë Basha.
Ai ka thënë po ashtu se në strukturat e PD-së nuk do të lejohen njerëz që cenojnë orientimin perëndimor të Shqipërisë, që krijojnë destabilizim të rajonit dhe krijojnë pasiguri për të ardhmen e Shqipërisë.