“Gjithë terrori dhe brutaliteti i kombinuar i shtetit dhe i Bashkisë së Tiranës, nuk ju gjunjëzoi, përkundrazi, ju bëri më të fortë”. Kështu është shprehur kryetari i Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha, në takim me qytetarë të Tiranës.
Në vijim, ai tha se brutalitetit policor tek Unaza e Re iu kundërvunë vetëm me fuqinë e shpirtit, me duart bosh, pa asnjë pushtet institucional, formal apo fizik.
“Katalogu i kësaj masakre zgjedhore i ka tejkaluar absolutisht gjithçka që është parë e dëgjuar në këtë vend dhe ka arritur me gjithë deklarimin e makinerisë shtetërore, me derdhjen lum të buxhetit të shtetit përmes çdo institucioni shtetëror, me legalizime për vota”.
Kryedemokrati e ka cilësuar 25 prillin si ditën kur ka rënë demokracia, pasi, sipas tij, ajo është dita kur “përdhunshëm mekanizmat e Edi Ramës, Erion Veliajt dhe bandave morën peng këtë vullnet, morën peng zhvillimin”.
Basha shtoi se sa më shumë rritej dhe zmadhohej aleanca për shoqërinë, aq më shumë shtohej dhe rritej ankthi i Edi Ramës.
Gjatë takimit, kreu i PD-së, është ndalur edhe te gara që po ndodh brenda kësaj partie, që sipas tij, është provë e vlerave demokratike që ajo parti dhe qytetarët shqiptarë përfaqësojnë.
“Disavantazhi qëndron në faktin se dorëzimi përballë atyre që 25 prillin nuk e konsiderojnë masakër zgjedhore, por një fitore të Edi Ramës, mund të mbjellë një tjetër farë përçarjeje në gjirin e një familjeje që ka dalë e bashkuar nga kjo betejë”.
Nxitimi i ndokujt, përfundoi udhëheqësi i demokratëve, nuk mund të përbëjë arsye për të fundosur sakrificën e secilit.