×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Basha: Për çdo të porsalindur, 3000 lekë të reja çdo muaj deri në 5 vjeç

    Reporteri
    08 Shkurt 2021 | 11:22

    Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në prezantimin e programit për Mirëqenien Sociale u shpreh i bindur për fitoren në zgjedhjet e 25 prillit.


    Gjatë prezantimit Basha theksoi se çdo familje do të përfitojë për çdo të porsalindur një pagesë mujore prej 3 mijë lekësh të reja, për 5 vitet e para të jetës.

    Ndërsa theksoi se Shqipëria është në pritje të ndryshimit jetik, Basha më tej tha se pas fitores do të dyfishohet asistenca ekonomike.

    Pjesë nga fjala e kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha:

    “Angazhohem të dyfishojmë menjëherë asistencën ekonomike për të gjitha familjet në nevojë. Nën qeverisjen tonë, askush nuk do të braktiset, shpërfillet dhe nëpërkëmbet.

    Angazhohem që njerëzit me aftësi të kufizuara do të jenë pjesë reale e vendimmarrjes të qeverisjes tonë dhe jo thjesht përfitues pasivë apo viktima të indiferencës, përbuzjes apo korrupsionit qeveritar. Ata do të jenë pjesë e këshillimeve dhe vendimeve mbi hartimin dhe zbatimin e reformave sociale që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë.

    Angazhohem për subvencionim të plotë të interesave për kredi për shtëpi për 20 000 familje dhe çifte të reja. Për të ardhmen tonë, për ata që kemi detyrë t’ju sigurojmë kushtet më të mira dhe mundësinë për sukses në jetë. Po ua them fare qartë, ne do të paguajmë 100%të interesave bankare, për çdo kredi që një çift i ri apo një familje e re merr për të blerë një banesë. 5000 të tilla në vit gjatë katër viteve të para, 20 000 çifte dhe familje të reja do të përfitojnë subvencionimin 100% të interesave të kredive që do të marrin për banesën e tyre.

    Çdo familje do të përfitojë për çdo të porsalindur një pagesë mujor prej 3 mijë lekësh të reja, për 5 vitet e para të jetës. Miqtë e mi, Shqipëria mezi po e pret ndryshmin.

    Këto janë zgjedhjet më jetike që ka pasur ndonjëherë ky vend. Ju do ju duhet të zgjidhni mes së keqes që na ka zënë frymën apo vetë Shqipërisë. Ju do ju duhet të zgjidhni mes dinjitetit tuaj apo atyre që varfërinë dhe braktisjen e përdorin në mënyrën më çnjerëzore për t’iu detyruar të shisni edhe votën tuaj. Koha ka ardhur që ata të shkojnë atje ku e kanë vendin. Vota juaj është dinjiteti juaj, varfëria juaj është turpi i tyre dhe më 25 prill do të jetë ndëshkimi i tyre.

    Ju duhet të zgjidhni Shqipërisë që humb ose Shqipërisë që fiton. Me këtë plan Shqipëria fiton!
    Së bashku do të largojmë këtë qeveri më të keqen e këtyre 30 viteve dhe do të hapim rrugën e ndryshimit që meriton gjithësecili prej jush. Me këtë plan Shqipëria Fito. Shqiptarët fitojnë dhe shqiptarët do të fitojnë”, tha ndër të tjera Basha.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!