Lulzim Basha thotë se nuk do ta presë pafundësisht PS-në në lidhje me reformën zgjedhore.
Përballë gazetarëve në një konferencë për shtyp, Basha tha se brenda muajit PD do nxjerrë planin e saj për reformën zgjedhore, që sipas tij është prioritet numër një për opozitën.
Basha: Është vit shumë i rëndësishëm. Prioriteti numër një është miratimi i reformës zgjedhore që i hap rrugë zgjedhjeve të parakohshme në një ditë me zgjedhjet vendore me standarde, me garanci për votën e lirë. Kemi paraqitur propozimet tona. Që nga shtatori opozita i prin këtij procesi. Jemi ne në pritje të qëndrimit të PS dhe Edi Ramës, pro apo kundër. Pritja nuk mund të vazhdojë pa fund. Do marrim çdo vendim dhe veprim të domosdoshëm për të mos e lënë Shqipërinë pa reformë zgjedhore dhe pa zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Por i pyetur nga gazetarët se çfarë do të bëjë opozita për të çuar përpara reformën zgjedhore, në një kohë kur qëndron jashtë parlamentit, Basha u shpreh se “do ta shihni”.
Ditët e fundit, lideri i demokratëve është kritikuar në lidhje me paqartësinë në qëndrime mbi reformën zgjedhore dhe më tutje mbi faktin se pasi PD foli për zgjedhje me lista të hapura, më tutje doli kundër vetes mbi këtë propozim.