×
  • Lajme
  • Shqipëria

    BE nuk e hap kufirin me Shqipërinë më 1 Korrik

    Reporteri
    27 Qershor 2020 | 10:59

    Bashkimi Evropian nuk do të hapë kufijtë me vendet Ballkanit Perëndimor pas 1 korrikut. Pas më shumë se gjashtë orësh bisedime në Bruksel ambasadorët e vendeve anëtare, kanë rishikuar draft listën e propozuar më herët të vendeve që do të lejohen të hyjnë në zonën e BE.


    Burime për Opinion.al kanë konfirmuar se për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor nuk do të ketë hapje më 1 Korrik. Përjashtim bën vetëm Serbia dhe Mali i Zi, qytetarët e të cilëve mund të hyjnë në BE që nga 1 Korriku. Për pjesën tjetër të vendeve, përfshi dhe Shqipërinë pritet sërish një mbledhje pas 14 ditësh.

    Para më shumë se dy javësh Komisioni Evropian kishte propozuar që për të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor të hapen kufijtë e BE-së nga 1 korriku, duke marrë parasysh, se atëherë, situata epidemiologjike e koronavirusit ishte e ngjashme, apo edhe më e mirë sesa në vendet e Bashkimit Evropian.

    Madje edhe në një draft listë të konfirmuar nga Euronews një ditë më parë, Shqipëria gjendej në listën e vendeve qytetarët e së cilës që do të lejoheshin të hynin në zonën Shengen, por me sa duket pas rritjes së shifrave javët e fundit, situata ka ndryshuar dhe ka çuar në një tjetër vendim.

    Për këto rekomandime, deri të shtunën në mbrëmje, duhet të pajtohen qeveritë e vendeve anëtare, ose të mos dërgojnë vërejtje në mënyrë që rekomandimi të konsiderohet si i aprovuar nga Këshilli i Bashkimit Evropian.

    Por edhe kur ky rekomandim të bëhet zyrtar në emër të BE-së, u takon shteteve anëtare që të vendosin a do ti hapin, apo jo, kufijtë e tyre për këta shtetas të huaj.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!