Presidenti shqiptar, Bajram Begaj, qëndrimin e tij në New York, ku po mbahet Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, e ka shfrytëzuar për të kërkuar njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shtetet mosnjohëse.
Siç ka njoftuar Presidenti Begaj, ai ka zhvilluar takime me homologët e tij nga shteti i Botsvanës, Kenisë dhe Sudanit të Jugut. Në fokus, tha se ka qenë lobimi për njohjen e Kosovës shtet të pavarur, shkruan Reporteri.net.
“Në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të OKB-së, u takova me homologët e mi nga Botsvana, Kenia dhe Sudani i Jugut. Teksa nxitja e marrëdhënieve të mira dypalëshe është e rëndësishme, fokusi im kryesor ishte njohja zyrtare e Republikës së Kosovës nga këto shtete”, ka shkruar ai, në Facebook.
Presidenti shqiptar edhe të enjten në fjalimin e tij para shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara nuk la pa e përmendur Kosovën.
Në fjalën e tij, Begaj tha se Kosova ka arritur të shërojë “shumë plagë të thella” nga e kaluara tragjike dhe se ka dëshmuar se dhimbja nuk ka nevojë të lindë armiqësi. Megjithatë, siç tha Begaj, Kosova është ende në pritje të njohjes së pavarësisë së saj nga shumë vende.
“Kosova është ende në pritje të njohjes së pavarësisë së saj nga shumë vende. Shpresoj që këto vende së shpejti do ta njohin kontributin e Kosovës për një komunitet global më të drejtë, më paqësor dhe do t’i japin Kosovës njohjen që meriton. Njiheni pavarësinë e Kosovës!”, u shpreh Begaj. /Reporteri.net/.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.