×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Begaj në takim me senatorët amerikanë: Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi, me në qendër njohjen reciproke

    Reporteri
    23 Maj 2023 | 14:29

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka folur sot për dialogun Kosovë-Serbi, me ç ‘rast ka theksuar nevojën për një marrëveshje të detyrueshme ligjore të njohur ndërkombëtarisht.

    Kështu deklaroi Begaj pas takimit me senatorët amerikanë, senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Gary Peters.

    “Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me në qendër njohjen reciproke do të kishte një ndikim shumë pozitiv për sigurinë dhe progresin e rajonit të Ballkanit Perëndimor”, nënvizoi Begaj.

    Ai përshëndeti vizitën e dy senatorëve amerikanë dhe vlerësoi vëmendjen dhe interesin në rritje të Kongresit amerikan për zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

    Begaj, vlerësoi gjithashtu marrëdhëniet e shkëlqyera me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe nënvizoi, se për Shqipërinë e shqiptarët, Shtetet e Bashkuara mbeten partneri kryesor strategjik dhe miku e aleati më i madh i tyre.

    Kreu i shtetit shqiptar, përshëndeti bashkëpunimin shumë të mirë që dy vendet kanë pasur, veçanërisht gjatë dy vjetëve të fundit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku kanë ndërmarrë iniciativa të përbashkëta për të dënuar agresionin e paprovokuar e të pajustifikuar ushtarak rus në Ukrainë, përmes rezolutave të ndryshme.

    Në këtë kuadër, Begaj, u ndal edhe te sfidat e reja me të cilat po ballafaqohet rajoni i Ballkanit Perëndimor, si dhe rritjen e aktivitetit kërcënues nga akterë të tretë dashakeqës ndaj zhvillimeve euroatlantike në rajon.

    Ai shprehu mirënjohjen gjithashtu edhe për bashkëpunimin dhe mbështetjen që agjencitë e specializuara amerikane po japin për përballimin e sulmeve kibernetike, që kanë si synim kryesor dëmtimin e infrastrukturës digjitale të shtetit shqiptar.

    Senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Gary Peters, shoqëroheshin në këtë takim nga ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!