×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Berisha e akuzon për trafiqe, Balla: Bashkëpunove me Milosheviqin kundër Kosovës

    Reporteri
    26 Qershor 2025 | 17:59

    Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin në Shqipëri, Taulant Balla replikoi në seancën plenare në Kuvend me kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha.

    Duke komentuar qëndrimet e përsëritura të opozitës për “vjedhje votash”, Balla shtroi pyetjen: “Si ka mundësi që ndodh gjithnjë e njëjta gjë? Edhe në 2017, edhe në 2021 doli Luli. Në 2025, tani po kuptojmë që Luli s’i paska pasur nga vetja…”.

    Më tej, Balla akuzoi Sali Berishën për histori të errëta që nga vitet ’90, duke përmendur edhe marrëdhënien e tij me Millosheviqin:

    “Që nga 1997-a, ti je një njeri ndaj të cilit rëndojnë të gjitha djallëzitë më të mëdha ndaj këtij vendi. Nga bashkëpunimi me Slobodan Millosheviqin për ta furnizuar me naftë makinerinë e tij ushtarake… Citoj Thaçin që tha: ‘Marrëveshje Berisha–Millosheviq, solli Arkanin në Shqipëri’. Apo edhe akuzat për vrasjen e Ilir Konushevcit, ushtar i UÇK-së. Ka dëshmitarë, dy pilotë që thonë se ti u dhe urdhër për të bombarduar jugun”, shtoi Balla.

    Ai kujtoi deklaratat fyese të Berishës ndaj figurave të ndryshme ndër vite.

    “Mban mend ç’i ke thënë Ilir Metës këtu? Ngrije kokën, ngrije. Hoqe Dash Sulën, vure Ilir Metën. U turre kundër drejtësisë. Mban mend ç’i ke thënë Maks Haxhisë, Arben Rakipit, Sollakut, Olsi Çelës, Altin Dumanit?”, theksoi Balla.

    Më tej, ai iu drejtua opozitës me thirrjen për të depozituar kallëzime zyrtare nëse kanë prova.

    “Keni disa ditë që bëni konferenca për shtyp. Merrini dhe çojini në prokurori. Si ka mundësi që kanë mbaruar zgjedhjet dhe ju s’bëni një kallëzim? Se e dini shumë mirë që s’ka asgjë që qëndron”, tha Balla.

    Në fund, ai ironizoi deklaratat për votën e diasporës dhe akuzat.

    “Qershia mbi tortë ishte vota e diasporës. ‘Vendosën GPS te fleta e votimit’,  tha njëri këtu (Noka)”, tha Balla.

    Duke përmbyllur replikën e tij, Balla tha se, “ju për ne jeni fat i madh. Por për Shqipërinë, jeni fat i zi”.

    Ndërsa kreu i PD, Sali Berisha u shpreh se, “Taulant Balla është akuzuar me dokumente zyrtare në sallë gjyqi se ka porositur vrasje”.

    “Natyrisht, një përfaqësuesi të shpifur dhe të neveritshëm të krimit në parlament nuk ia vlen t’i përgjigjesh, por detyrimi ndaj qytetarëve më detyron të rikujtoj këtu se personi që foli këtu është një person i akuzuar për trafiqe të të gjitha llojeve, filluar me trafiqet e prostitucionit e përfunduar tek droga”, tha Berisha.

    “Është një njeri i akuzuar me dokumente zyrtare në sallë gjyqi se ka porositur vrasje. Është një person, i cili segmentet e drejtësisë, kriminale, kanë djegur me vendim regjistrimet që faktonin personin si një porositës të vrasjeve. Është i faktuar, është njeriu që ka porositur bandën e Elbasanit për të burgosur një familje të tërë, kundërshtare të bandës së Elbasanit dhe merret më vonë në mbrojtje nga Nuredin Dumani”, theksoi Berisha.

    “Ky person rezulton se me datën 10.12.2020 ka rënë dakord, Targeti informon PIN-in aq e kaq, se kishin rënë dakord mes tyre që të mos i kërkonin Taos, këtij krimineli që është këtu, asnjë tender publik apo favore të tjera, përveç atyre që kishin rënë dakord. Ky mesazh iu përcoll kriminelit këtu…”, vijoi më tej kreu i PD.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!