×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Berisha e konsideron Ramën ‘antishqiptar’: Deklaratë superskandaloze e Pashiqit shqiptar

    Reporteri
    05 Tetor 2023 | 11:43

    Lideri i opozitës në Shqipëri, Sali Berisha, ka kërkuar që në Kuvend të diskutohet deklarata që ai e ka quajtur superskandaloze e kryeministrit Edi Rama për veriun e Kosovës. Berisha e ka krahasuar Ramën me ish-kryeministrin e Serbisë, Nikolla Pashiq.

    Deklarata e kryeministrit të Shqipërisë dhënë për “Financial Times”, duke thënë se “veriu i Kosovës është bërë toka e askujt” ka nxitur reagime të ashpra në Kosovë e më gjerë. Deklaratat e tij po cilësohen si anti-kombëtare.

    Dhe valës së kritikave ndaj Ramës i është bashkangjitur edhe lideri opozitar gjatë fjalimit në Kuvendin e Shqipërisë.

    “Sot, kryefjala e Parlamentit duhet të jetë, deklarata superskandaloze e Pashiqit shqiptar, se veriu i Kosovës është toka e askujt. Nuk ka deklaratë më antishqiptare, nuk ka deklaratë më të shpifur se kjo deklaratë. Por po ju pyes unë ju: secili prej jush që jeni këtu, dhe çdo shqiptar, po përse e derdhi gjakun Afrim Bunjaku? Ku u vra ai? U vra pikërisht në veri të Kosovës, në mënyrë që aty të sundojë rendi, ligji dhe rregulli. Ku u zhvillua një betejë mes grupeve terroriste të nisura direkt nga Alekandër Vuçiqi, të kryesuara nga lejtnanti i tij Radoiçiç? Se sa ishte ‘no mans land’ e provuan falangat serbe. Shqiptarët, Europa dhe bota e panë se si ia mbathën me të katërta, se ajo është toka e zotëve të saj”, ka thënë Berisha.

    “Këtu ka një përpjekje të turpshme, të pafytyrë për të mbuluar me zhurma, me mashtrime dhe gënjeshtra, deklaratën superskandaloze, deklaratën më armiqësore të bërë ndonjëherë jashtë Beogradit për Kosovën, se veriu i Kosovës është toka e askujt”, tha ai.

    Berisha ka thënë se kjo deklaratë meriton të nisë një debat në Kuvendin e Shqipërisë, duke e cilësuar Ramën si “argat të Vuçiqit”.

    “A mundet një krim-ministër të bëjë një deklaratë të tillë në sintoni të plotë me padronin e tij, Aleksandër Vuçiq? Dhe tani kërkojnë të mbulohet kjo me deklarata të turpshme këtu përpara. Po Dostojevski thotë një fjalë: njeriu që kalon nga gënjeshtra në gënjeshtër, largohet nga homo-sapiens, nga specia e tij. Ndaj këtu debati duhet të fillojë me urgjencë për këtë deklaratë që nuk e bën jo vetëm Aleksandër Vuçiqi, por e bën edhe pengu i tij, e bën argati i tij, që quhet Edi Rama. A e dini çfarë tha Alistair Campbell, miku i tij, për këtë deklaratë: e ka hipnotizuar Vuçiqi”, ka shtuar Berisha.

    “Tokë e askujt”, “Financial Times” korrigjon intervistën me Ramën: E ka pasur fjalën për Veriun

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!