Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim ka bërë reagimin e saj të parë, një ditë pasi ish-kryeministri Sali Berisha, i shpallur “non grata” nga Amerika, shkarkoi kryedemokratin Lulzim Basha.
Sot, ambasadorja Kim ka risjellë një intervistë të ambasadorit amerikan, William Edwin Ryerson, i cili shërbeu në Shqipëri nga viti 1991-1994, fill pas rënies së diktaturës komuniste.
Duke ndarë mesazhin e tij, ambasadorja ka kujtuar 30 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve mes dy vendeve, por në asnjë moment nuk e komenton direkt ngjarjen e djeshme.
Ky moment tregues i rrëfyer nga Ambasadori Ryerson është po aq i fuqishëm, i rëndësishëm dhe i vërtetë sot sa ishte 30 vjet më parë. Le të mos harrojmë. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria gjithnjë e mbajnë njëra-tjetrën afër,”-shkruan ambasadorja amerikane.
POSTIMI I PLOTË:
““Teksa arrijmë në fund të vitit 2021, i cili shënon 30 vjet të rinovimit të marrëdhënieve mes SHBA dhe Shqipërisë, doja të ndaja këtë mesazh nga Amb. Ryerson: “Një nga momentet më të rëndësishme erdhi fill gjatë vizitës së Baker. Ndërsa Sekretari fliste… Unë po qëndroja pranë automjeteve të autokolonës, pranë një polici shtatlartë e të ashpër. Ndërsa Baker tha: “Ne jemi me ju, dhe ju jeni me ne”, unë pashë një lot që rrotullohej në faqen e atij polici.” Ky moment tregues i rrëfyer nga Ambasadori Ryerson është po aq i fuqishëm, i rëndësishëm dhe i vërtetë sot sa ishte 30 vjet më parë. Le të mos harrojmë. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria gjithnjë e mbajnë njëra-tjetrën afër,”-shkruan në postimin e saj ambasadorja.
Çfarë ndodhi dje në PD?
Prej 9 shtatorit, kur dhe Berisha u pezullua nga grupi parlamentar për shkak se në maj Deparatamenti Amerikan i Shtetit e shpalli “non grata”, në selinë ka nisur një luftë mes ish-kryeministrit dhe Lulzim Bashës. Dje, Berisha mblodhi Kuvend të jashtëzakonshëm dhe e shkarkoi bashkë me të besuarit e vetë nga postet përkatëse. Ndërsa Basha nuk e njeh vendimin, duke paralajmëruar edhe ndëshkime, ku nuk përjashtohet mundësia që ta largojë Berishën përgjithmonë nga partia.