×
  • Lajme
  • Shqipëria

    “Beteja” për ujin e pijshëm, në Vlorë familjet sigurojnë furnizimin prej autoboteve

    Reporteri
    10 Gusht 2020 | 18:41

    Amortizimi i rrjetit të ujësjellësit në disa lagje në Vlorë ka bërë që mjaft familje të kenë probleme të mëdha me furnizimin me ujë të pijshëm.


    Të detyruar nga situata e vështirë, familjet sigurojnë lëngun jetik duke e blerë nga autobotet. Ndërsa mundësitë e zgjidhjes së situatës janë të pakta, pasi kërkohet një investim i madh.

    Mbi 250 famlje të lagjes ‘Lirim’ në Vlorë prej vitesh vuajnë problematikën e mungesës së ujit të pijshëm. Pavarësisht ankesave të tyre situata ka mbi 20 vite që nuk ndryshon.

    ”Ne jemi si pare e kuqe në bashki, kemi ndërruar 3 drejtorë, dje u hoq drejtori, erdhi tjetri. Nuk llogaritet sa herë me shkrim ndërmarrjes, asnjë zgjidhje.”

    Banorët shprehen se ujin e pijshëm e blejnë jo vetëm në marketet e zonës por edhe me anë të autoboteve të cilat vijnë aty tre herë në javë në mbrëmje.

    ”Ujin e pijshëm e blejmë. Vjen një orë në ditë me pompë, por nuk pihet ky ujë.”

    Shumë familje kanë gjetur dhe zgjidhje alternative duke instaluar pompa por dhe kjo mënyrë u rëndon atyre xhepat.

    ”Kemi blerë të gjitha tubacionet. Tani në verë meqë ka presion, ne na mbushen tubacionet. Lagja nuk mbushet se nuk ka ujë. Kur vjen uji, unë ndez pompën, do harxhoj energji elektrike, sepse nuk ma bie shteti që unë të marr ujë të pijshëm.”

    Të kontaktuar përfaqësues nga pushteti lokal i Vlorës shprehen se mundësitë e investimit jo vetëm në lagjen ‘Lirim’ por edhe në të tjera që vuajnë prej vitesh mungesën e ujit të pijshëm sic janë lagja ‘Partizani’ ‘Topana’, ‘Llonxhë’, ‘Karabash’ janë të pakta për vitin 2020. Rrjeti i ujësjellësit në to është instaluar para vitit 1990 dhe tashmë janë në masën 70 për qind jashtë funksionit.

    Disa vite më parë në këto lagje është bërë një investim për instalimin e linjave të reja të ujësjellës kanalizimeve, por edhe ai është i lënë përgjysëm për shkak të mungesës së fondeve. Prej kësaj ndërhyrjeje kanë përfituar vetëm disa familje të cilat tashmë e kanë zgjidhur problematikën e ujit të pijshëm.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!