×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Bie drastikisht numri i turistëve në Shqipëri

    Reporteri
    20 Gusht 2020 | 11:12

    Edhe pse sezoni veror nuk ka përfunduar, goditja që pandemia i ka dhënë sektorit turistik parashikohet të jetë tepër e ashpër.


    Sipas kryetarit të Unionit Turistik Shqiptar, Rrahman Kasa, Shqipëria mund të ketë pasur këtë vit vetëm një të katërtën e turistëve që e zgjodhën vjet si destinacion për pushimet e tyre. Sipas Kasës, efektet negative të pandemisë janë ndjerë së tepërmi në industrinë e turizmit.

    “Unë mendoj se nuk arrijnë më shumë sesa 25% e numrit në total duke iu referuar vitit të kaluar, u shpreh z. Kasa. – Duke iu referuar të gjitha statistikave që ne kemi apo burimeve që ne disponojmë unë mendoj se ky sezon nuk do ta kalojë nivelin prej 25%”, shtoi ai.

    Nga ana tjetër, Kasa konfirmon se janë pakësuar edhe udhëtimet e shqiptarëve jashtë vendit për qëllime turizmi, si pasojë e bllokimit të hyrjeve të tyre nga shumë shtete, mes tyre edhe Greqia, deri vjet shumë e preferuar prej tyre.

    “Dy destinacionet e mbetura dhe që janë frekuentuar këtë vit nga shqiptarët është Turqia dhe pastaj Mali i Zi”, tha kreu i Unionit Turistik Shqiptar.

    Gjithashtu, janë vendet prej nga kanë ardhur turistët e huaj në Shqipëri, duke mbetur në listë vetëm tre të tilla.

    “Për sa u përket turistëve të organizuar sivjet ne kemi vetëm Poloninë, Ukrainën dhe Bjellorusinë. Kur kemi pasur vitet e kaluara nga vendet nordike, baltike, Gjermania, Zvicra, të cilat këtë vit i kanë ndërprerë këtë vit fluturimet charter”, u shpreh ai.

    Sipas z. Kasa, në kushtet në të cilat ndodhet sektori turistik, ndihma nga shteti është e domosdoshme.

    “Kemi kërkuar që biznesi i turizmit të mbështetet në një paketë financiare të veçantë, e cila të ishte e dedikuar vetëm për të pasi vetëm ai prodhon dhe në mënyrë të shpejtë, siç e tregoi edhe ky sezon, sepse nëse do të kishte lehtësuar fiskale dhe do t’i jepet frymëmarrje ne mendojmë se ai do të mbijetonte dhe do të rigjeneronte e do të ishte receta më e mirë për ekonominë shqiptare”, përfundon z. Kasa.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!