×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Cakaj takohet me Palmer: Marrëveshja duhet të përfundojë me njohje të Kosovës nga ana e Serbisë

    Reporteri
    26 Shtator 2019 | 20:10

    Gjatë qëndrimit në Nju Jork, Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme zhvilloi një takim me Zëvendës ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit dhe të Ngarkuarin Special për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.


    Në fokus të takimit ishin çështje që lidhen me situatën e brendshme në Shqipëri, zhvillimet e fundit në rajon dhe bashkëpunimin mes dy vendeve në kuadër të organizatave shumëpalëshe.

    “Lidhur me situatën e brendshme në Shqipëri bashkërisht nënvizuam nevojën për të pasur një dialog gjithëpërfshirës për reformën elektorale në përputhje me rekomandimet e OSBE/ ODHIR. Kjo është thelbësore për të përmirësuar edhe më tutje cilësinë e sistemit elektoral dhe, rrjedhimisht, demokracinë në Shqipëri në përgjithësi.” – u shpreh Ministri Cakaj në një reagim në Facebook, njofton Telegrafi.

    Sa i përket çështjeve rajonale Ministri Cakaj u shpreh se pas Marrëveshjes së Prespës, çështja themelore në rajon është arritja e marrëveshjes përfundimtare për normalizim të marrëdhënieve midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

    “Marrëveshja duhet të përfundojë me njohjen e Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë.”- theksoi Cakaj.

    Gjatë takimit të dy bashkëbiseduesit u ndalën gjithashtu, në bashkëpunimin në kuadër të OSBE-së, si një angazhim të rëndësishëm në kuadrin e bashkëpunimit shumëpalësh.

    “Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë referenca e patjetërsueshme politike e diplomatike e Shqipërisë.”- përfundoi statusin e tij Cakaj.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!