Epidemiologët janë të parët që përballen me virusin në terren. Gazetarja jonë Anxhela Celibashi na sjell përmes kronikës në vijim një ditë nga puna e atyre që veç zbulimit të rasteve të reja me Covid jetojnë edhe me frikën e infektimit.
Me këtë veshje këta njerëz të japin përshtypjen se po jetojmë në një botë ireale
Të gjithë përballë koronavirusit janë të rrezikuar, të parët që shkojnë për gjurmimin e rasteve janë epidemiologët.
Pasi marrin referimet nga urgjenca kombëtare dhe mjeku i familjes, specialistët pranë institutit të higjienës ristudiojnë çdo rast të cilit do ti bëhet tampon, tregon epidemiologia Ermelinda Murati.
Ermelinda Murati: Ne mblidhemi një grup teknikësh apo specialistësh mjekë epidemiologë dhe të shëndetit publik dhe referojmë të gjitha rastet që ne na janë referuar. Aty ke rastet nga më të lehtat dhe më të vështirat. Janë edhe me prioritete, sidomos rasteve që kanë edhe sëmundje shoqëruese.
Vatrat më të nxehta në Tiranë janë ato zona ku ka edhe më shumë popullsi.
Ermelinda Murati: Është edhe një pjesë e Freskut apo te Bulevardi i Ri.
Ata tregojnë vështirësinë e punës së tyre duke e cilësuar këtë situatë si më të pazakonshmen në të gjitha vitet e punës.
Ermelinda Murati: Është sfidë për të gjithë, si për mua që kam goxha vite, por edhe për ata që janë më të rinj.
Puna e përditshme dhe voluminoze i bën specialistët të harrojnë edhe ditët e javës. Krah angazhimit në punë ata duhet të kujdesen edhe për familjen. E përlotur doktoresha tregon mallin që ka për të afërmit.
Ermelinda Murati: Edhe për rrethin tim familjar, motrën kam kaq kohë që nuk e kam takuar. Me fëmijët mundohem të mbaj një lloj distanca, sqaë ndonjëherë kur më afrohen i them stop.
Procesi i veshjes ka nja kohë dhe rëndësi të veçantë.
Duke ndihmuar njëri tjetrin për të shmangur çdo kontakt me të dyshuarit përmes veshjes, grupi thuajse është gati, lloji i veshjes tregon edhe rolin e secilit
Laboranti dhe ndihmesat e tij
Më shumë kohë merr rruga për në banesën e të dyshuarit se sa kryerja e tamponit.
Dy prej specialistëve shkojnë për në vatrën e parë, me termoboxin në dorë dhe një dezinfektant, ata shkojnë drejt të dyshuarit.
Procesi i marrjes së mostrave në hundë dhe në gojë zgjat shumë pak.
Pasi përshëndesin familjarët, epidemiologët kryejnë dhe procesin e zhveshjes, proces i cili duhet të kryhet me kujdes të veçantë, i pari hiqet ai që u vesh i fundit.
Si mbetje spitalore ato më pas asgjësohen.
Procesi tërheq dhe vëmendjen e banorëve të zonës, në ballkone dhe në rrugë filmojnë momentin.
Një veshje përdoret vetëm një herë. Për në vatrën e radhës do të shkojnë anëtarët e tjerë të grupit.