Gazetari i ekonomisë Klodian Tomorri, ka bërë një denoncim të fortë duke thënë se në bregdetin e Gjirit të Lalzit, shteti u ka shitur dy kompanive 55.000 (mijë) metra katror tokë, për një vlerë qesharake.
1.000 (mijë) lekë të reja për metër katror kanë paguar dy kompani, për të marrë 55 mijë metër katror tokë. Ku? Në një zonë të preferuar nga të gjithë, në Gjirin e Lalzit.
“Argumenti që përdor qeveria, është që po japim tokën, sepse do të zhvillohet turizmi, do të përfitojmë taksa nga këto investime. Ky është argumenti përmes së cilit janë justifikuar shumë vendimet të dyshimta. E vërteta është se përfitimet për buxhetin dhe qytetarët janë minimale”, bën me dije Tomorri në emisionin “Të paekspozuarit”.
Pjesë nga deklarata e gazetarit – video:
Përfituesit janë dy kompani, të biznesmenëve Redi Peza dhe Gentian Sula. Ata i propozojnë Ministrisë së Financës, duke shfrytëzuar këtë mundësi që jep ligji që të marrin tokën shtetërore. Ministria ia çon qeverisë dhe kthehet në vendim.
55 mijë metra katrorë shiten me 1 mijë lek për metrin katror, pra rreth 10 dollarë për metër katrorë. Ka ndonjë vend ku mund të ndodhë kjo, pëfshirë Afrikën?
Argumenti që përdor qeveria, është që po japim tokën, sepse do të zhvillohet turizmi, do të përfitojmë taksa nga këto investime. Ky është argumenti përmes së cilit janë justifikuar shumë vendimet të dyshimta. E vërteta është se përfitimet për buxhetin dhe qytetarët janë minimale.
Për shkak të disa ndryshimeve në sistemin fiskal, sektori i turizmit thuajse është zhveshur nga taksat. Janë të parjashtuar nga taksat për ndikimin në infrastrukturë, të përjashtuar për 10 vite nga tatim fitimi, kanë TVSH të reduktuar në masën 6%.
Përfitimet që merr buxheti janë minimale. Në shumë raste, resorte të tilla turistike, jo vetëm nuk sjellin përfitime, por shkaktojnë kosto për qytetarët. Ngrihet resorti pastaj qytetarët paguajnë, rrugën, stacionin elektrik, ka patur raste që kanë paguar edhe pista helikopterësh dhe salltanete të tilla.