×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Departamenti Amerikan i Shtetit reagon pas deklaratave të Sali Berishës ndaj ambasadores Yuri Kim

    Reporteri
    14 Dhjetor 2021 | 20:00

    Departamenti i Shtetit hodhi sot poshtë akuzat e bëra në Shqipëri nga ish kryeministri Sali Berisha ndaj ambasadores Yuri Kim teksa u tha se deklaratat ndaj ambasadores janë shqetësuese.

    Në përgjigje të pyetjes së Zërit të Amerikës lidhur me akuzat e bëra nga ish kryeministri Sali Berisha ndaj Ambasadores Yuri Kim se ajo po sillet si guvernatore në Shqipëri dhe se mbështet kryeministrin Edi Rama, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price tha se “Uashingtoni është i shqetësuar nga sulmet e pajustifikuara ndaj ambasadores tonë në Tiranë.

    Këto sulme të shëmtuara nuk përfaqësojnë popullin shqiptar. Siç e ka udhëzuar Uashingtoni, thekson zëdhënësi Price, ambasadorja Kim ka shpjeguar dhe zbatuar qartë politikat e Shteteve të Bashkuara, përfshirë vendosmërinë e Presidentit Biden për të mbajtur përgjegjës ata persona që përfshihen në korrupsion, ose minojnë demokracinë.

    Shtetet e Bashkuara, thekson më tej zëdhënësi, vlerësojnë marrëdhëniet me popullin shqiptar dhe vitin e ardhshëm do të kremtojmë 100 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve mes dy vendeve.

    Marrëdhëniet tona, përfundon zëdhënësi, i mbijetuan komunizmit dhe diktaturës për shkak të angazhimit të përbashkët për demokraci dhe respektit të ndërsjellë/voa

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!