×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Deportimi i mësuesit turk, avokati: U shkel ligji, të hetojë prokuroria

    Reporteri
    04 Janar 2020 | 20:54

    Deportimi i mësuesit turk Harun Çelik, nga Shqipëria drejt Turqisë këtë të enjte vijon ende të shkaktojë reagime, duke e çuar debatin në pikën nëse janë shkelur ose jo të drejtat e njeriut.


    Avokati i 42-vjeçarit tha se mësuesi turk i ka pohuar se është aktivist i lëvizjes gyleniste dhe për shkak të përndjekjes ishte larguar nga Turqia. Sipas avokatit Alban Bengasi, veprimet e shtetit shqiptar ndaj klientit të tij janë në shkelje të ligjit dhe prokuroria duhet t’i hetojë ato. Avokati tregon se 42-vjeçari Çelik, me profesion mësues, i kishte deklaruar përfaqësuesit të tij ligjor se për shkak të mbështetjes së lëvizjes Gylen, i kërcënohej jeta.

    Ai sqaron se shtetasi turk u kap në aeroportin e Rinasit me dokumente falso teksa tentonte të nisej drejt Kanadasë dhe për këtë kreu disa muaj paraburgim në Shqipëri. “Zoti Çelik u kërkoi zyrtarëve azil politik por kjo iu refuzua nga autoritetet e policisë së burgjeve”, ka thënë avokati. Policia e mohon këtë deklaratë, duke bërë të ditur zyrtarisht se shtetasi turk deri në momentin e deportimit nuk kishte kërkuar azil, dhe këtë e bëri vetëm kur mësoi se do të dërgohej në Turqi. Ligji shqiptar parashikon që shtetasit e huaj që kryejnë një dënim në Shqipëri për veprën penale të kryer nga Harun Celik, deportohen në vendin e tyre.

    Për këtë rast që ka ngjallur mjaft debate, ‘News24’ u interesua pranë institucionit të avokatit të Popullit ku mësoi se çështja është marrë në shqyrtim dhe po mblidhen të gjitha dokumentacionet për të parë nëse veprimet ndaj shtetasit turk kanë qenë ose jo konform ligjit dhe nëse janë shkelur të drejtat e njeriut. Pas kësaj Avokati i Popullit do të dalë me një qëndrim.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!