Katër fëmijë të vegjël janë lënë sot nën mbrojtjen e murgeshave në Lezhë, të tmerruar nga rrahja makabre që iu panë sytë një ditë më parë në shtëpi, ku hallat dhe kushurinjtë e tyre të parë, rrahën pa mëshirë mamanë e tyre, Davën.
Katër vogëlushëve iu mungon sot mami, që ndodhet në spital për goditjet e forta që ka marrë në kokë, për flokët e shkulur dhe kafshimet me dhëmbë nga një lukuni e acaruar nga prania e ish-nuses së të vëllait me 4 të miturit ende në shtëpinë e ish-të shoqit në fshatin Markatomaj.
Katër motra e vëllezër nuk po luajnë, por po presin me ankth nëse mami Dava do të vijë t’i përqafojë sot, në dhomat e ndriçuara të një kuvendi, ku nga rubineti rrjedh ujë i freskët, sepse në shtëpinë e tyre, babai dhe familja e tij iu kanë prerë dritat dhe ujin që nga janari dhe iu kërkojnë të ikin nga shtëpia ku kanë lindur.
Ndërsa ata presin, ndoshta u duhet thënë të jenë të lumtur se mami është gjallë në fund të fundit, ndryshe nga dy gra fatkeqe që dje ua morën jetën burrat e tyre.
Dhe sot, Dava Ndoji, si një e mbijetuar fatkeqe e dhunës në familje, ka pushtuar mediat me rrëfimin e dramës së rëndë të saj të shkaktuar nga ish-bashkëshorti që ka hedhur kundër saj të gjithë familjen e vet.
Ndiqeni rrëfimi tragjik të zonjës lezhjane Dava, që nga spitali, ku pranë i rri vetëm i ati që ia mban trupin që dridhet:
Znj. Dava, si ka ndodhur ngjarja e djeshme?
Dhuna ndaj meje ka filluar që në datën 16 janar të këtij viti dhe ka vazhduar, dhunë verbale dhe sistematike. Unë jam me Urdhër Mbrojtje nga gjykata bashkë me vajzën time; jam nënë me katër kalamaj. Kam kërkuar nga shteti të rris fëmijët ashtu si duhet se kam katër fëmijë për të rritur.
Po rrija me djalin në ballkon sepse ka nevojë djali të marrë rreze jashtë; në atë moment vjen kunata ime me dy fëmijët e vet – motra e ish-burrit në fakt, se unë jam në proces divorci. Por ato janë bashkuar në krahun e vëllait të tyre dhe më janë kundërvënë mua të gjitha.
Ajo ka ardhur e përgatitur me këtë qëllim po nuk e dija, hynë brenda dhe kur dolën më kanë sulmuar. Në prani të djalit (dridhet, qan).
Arsyeja pse më kanë goditur?! Se në datën 2 unë kam marrë një vendim, një urdhër mbrojtje të dytë apo të tretë në mund të quaj dhe ato nuk e kanë pranuar, se unë jam pa ujë dhe pa drita që prej dy muajsh apo që në fillim të janarit pavarësisht se e ka dhënë urdhrin gjykata për ta furnizuar shtëpinë me ujë me drita dhe për të më dhënë ambientet. Nuk e kanë bërë dhe duan si të ma bëjnë jetën më të vështirë.
Fëmijët të katërt janë me mua me vendim gjykate pavarësisht se nuk është bërë vendim i formës së prerë.
Fëmijët ndodhen nën mbrojtjen e murgeshave, i kanë marrë murgeshat në mbrojtje.
Nga shteti kërkoj të merren masat e menjëhershme dhe gjithsecili të marrë dënimin e duhur, edhe unë në qofsha. Edhe unë në qofsha.
Konfliktet kanë vazhduar gjithmonë pasi kam bërë konflikt me burrin tim për divorc. Ato kanë mbështetur vëllanë tua që të ma bëjnë jetën mua më të vështirë dhe të dal unë me katër fëmijë. Por unë nuk kam ku të shkoj me katër fëmijë….
Pasi mbaruan shkollën fëmijët, kam dalë nga banesa për dy a tre javë te prindërit e mi, por me vendim gjykate më kanë thënë që të kthehem e të jetoj aty ku kam banuar.
Unë rrezikshmërinë e kam pasur …. Ta shikojë shteti. Kam kërkuar të largoj dhunuesin nga shtëpia se aty fëmijët kanë shkollën, aty kanë jetuar.
Nuk kam pse largohem unë që aty nga ajo banesë. Por shteti nuk e ka bërë një gjë të tillë, nuk na jep vendim. Dhuna ka ndodhur në prani të fëmijëve të mi dhe të mos ishin fëmijët, ata do të më kishin bërë copash.
Më kanë goditur në pjesën e flokëve, me grushta, kafshime me dhëmbë, ku e di unë…se momente dhune janë edhe unë jam kundërvënë, potë gjitha janë bërë gjashtë veta, me fëmijët e vet.
Mjekët s’më kanë dhënë asnjë përgjigje deri tani, asnjë lloj përgjigje. Rri aty, marr mjekim për dhimbje koke…” përfundoi fjalën Dava Ndoji.
Ndërkohë, Policia e Lezhës njoftoi:
Vihen në pranga 1 shtetase, për veprën penale “Dhuna në familje”. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Lezhë bënë arrestimin në flagrancë të shtetases A. Gj., 45 vjeçe, banuese në Kurbin, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj kunatës së saj, shtetases D.N, 34 vjeçe, në fshatin Markatomaj, Lezhë.