Tensione dhe përplasje janë shënuar të martën jashtë Kuvendit të Shqipërisë, në ditën kur ka nisur sesioni i ri parlamentar.
Sipas raportimeve të mediave shqiptare, protesta para Parlamentit është shoqëruar me përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë, ndërsa autoritetet kanë blinduar zonën përreth Kuvendit.
Gjatë protestës, disa qytetarë kanë hedhur vezë në drejtim të policëve, ndërsa disa protestues janë shoqëruar në komisariat pasi kanë kaluar perimetrin e sigurisë të vendosur nga policia.
Situata është tensionuar edhe më tej pas përfundimit të seancës plenare.
Mediat shqiptare raportojnë se disa protestues janë shoqëruar me forcë nga policët, ndërsa në pamjet e publikuara shihet kur qytetarët tërhiqen zvarrë gjatë ndërhyrjes së policisë për lirimin e rrugëve.
Në disa pamje të publikuara nga mediat shqiptare, shihen gjithashtu policë që ngrenë në ajër një protestues dhe e largojnë nga zona e protestës.