Tashmë që drejtuesit e partive po përgatisin listat e kandidatëve për deputetët për zgjedhjet e 25 prillit, kërkohet që ligji i Dekriminalizimit të forcohet edhe më tutje, për të pamundësuar hyrjen në parlament të individëve që kanë kryer vepra penale ose ndaj të cilëve ka proces gjyqësor të hapur.
Listat e kandidatëve nga partitë apo koalicionet duhet të dorëzohen në KQZ deri më 7 mars, afati i fundit që lejon Kodi Zgjedhor.
Ndërkohë drejtuesve u janë bërë thirrje të përsëritura edhe nga ambasadorja amerikane, Juri Kim që të propozojnë kandidatë të papërlyer.
Ata që janë larguar deri më tani si pasojë e ligjit të dekriminalizimit kanë qenë të dënuar në formë jopërfundimtare në vende të Bashkimit Evropian, në Shba, Kanada e Australi, ndërkohë që ishin përjashtuar shtete të rajonit. Kësaj liste i janë shtuar edhe 8 vende të tjera.
Së fundmi në Kuvend është depozituar një kërkesë për ndryshim të ligjit të miratuar në vitin 2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” ku propozohet të shtohen edhe vende që nuk janë pjesë e BE, si Zvicra, Norvegjia, Islanda, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova.
Pra, edhe individë që janë dënuar në formë jo përfundimtare ose janë dëbuar nga këto shtete u ndalohet të kandidojnë për t’u zgjedhur deputetë apo poste të tjera të larta.
Forcimi i ligjit është propozuar nga deputeti i opozitës, Vasil Sterojavski dhe pritet të shqyrtohet në seancat e ardhshme parlamentare.