Këshilli i Ministrave miratoi dje (23 tetor) draftin e ri për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve.
Në draf parashikohet edhe ngritja e institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale private
Këshilli i Ministrave përcakton rregullat për funksionimin, administrimin, kontraktimin, si dhe rregullat që përcaktojnë elementet e sigurisë në institucionet private të ekzekutimit të vendimeve penale.
Në nenin 15 dhe 16 flitet për funksioninim e këtyre institucioneve.
Në burgjet private mund të vendosen të dënuarit për të cilët është vendosur masa e dënimit deri në 5 (pesë) vite burgim. Nuk do të vendosen në këto institucione të dënuarit që me vendim gjykate janë caktuar në institucionin e sigurisë së lartë.
Ndërkohë neni 17 i është dedikuar funksionimit të institucionit të ekzekutimit të vendimeve penale i sigurisë së lartë ku të dënuarit u vihen kufizime të të drejtave të tyre në rastet dhe sipas kritereve të përcaktuara shprehimisht në këtë ligj.
Neni 18 ka të bëjë me regjimin e posaçëm në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale të sigurisë së lartë
Në nenin 18 thuhet shprehimisht: Në raste të veçanta, mund të zbatohet një regjim i posaçëm i ushtrimit të të drejtave për të dënuarit në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale të sigurisë së lartë dhe të paraburgosurit që hetohen apo gjykohen për veprat penale të parashikuara në nenet 79, shkronja “ç”, 79/a, 79/b, 230, 230/a, 230/b, 230/c, 230/ç, 231, 232, 232/a, 234, 234/a, 234/b, 283, paragrafi 3, 283/a, paragrafi 3, 284, paragrafi 3, 284/a, 284/c, paragrafi 3, 284/ç, paragrafi 3, 333, 333/a dhe 334, të Kodit Penal, të kryera në kuadër të pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal, organizatë kriminale, bandë të armatosur, organizatë terroriste ose për vepra me qëllime terroriste.
Pika 2 cakton se regjimi i posaçëm zbatohet edhe ndaj të dënuarve ose të paraburgosurve të cilët kanë rrezikshmëri të lartë për shkak të lidhjeve me pjesëtarët e organizatave kriminale, organizatave terroriste, bandave të armatosura ose të grupeve të strukturuara kriminale.
Pr/ligj cakton dhe si funksionojnë Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale të sigurisë së zakonshme, të sigurisë së ulët, institucioni i hapur dhe paraburgimi.
Pritet që pr/ligji të kalojë në parlament për diskutim.
Pjese nga draft ligji
INSTITUCIONET
KREU I
LLOJET E INSTITUCIONEVE
Neni 14
Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale
1. IEVP-të, mbi bazën e kategorisë së subjekteve ndaj të cilave ekzekutohen dënime penale, ndahen në:
a) institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale për të dënuarit e rritur;
b) institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale për të dënuarit e mitur;
c) institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale për gratë;
ç) institucionet e paraburgimit.
2. Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale mund të ndahen në seksione, sipas nevojës së administrimit.
3. Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale ose seksione brenda tyre, mbi bazën e sigurisë, kategorizohen, si më poshtë vijon:
a) Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale të sigurisë së lartë;
b) Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale të sigurisë së zakonshme;
c) Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale të sigurisë së ulët;
ç) Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale të hapura.
4. Përjashtimisht nga rregullat e përcaktuara nga ligji për organizimin dhe funksionimin e organeve të administratës shtetërore, krijimi, klasifikimi dhe mbyllja e institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale me burgim apo seksioneve të veçanta në këto institucione bëhen me urdhër të ministrit të Drejtësisë.
Neni 15
Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale private
1. Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale janë publike dhe private.
2. Këshilli i Ministrave përcakton rregullat për funksionimin, administrimin, kontraktimin, si dhe rregullat që përcaktojnë elementet e sigurisë në institucionet private të ekzekutimit të vendimeve penale.
Neni 16
Vendosja e të dënuarve në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale private
1. Të dënuarit për të cilët është vendosur masa e dënimit deri në 5 (pesë) vite burgim mund të vendosen në institucionet private të ekzekutimit të vendimeve penale.
2. Të dënuarit që me vendim gjykate janë caktuar në institucionin e sigurisë së lartë, nuk vendosen në institucionet private të ekzekutimit të vendimeve penale.
/Ora News.tv/