×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Drafti i Venecias: Meta nuk shkarkohet

    Reporteri
    06 Mars 2020 | 20:55

    Në fundjavë pritet të mbërrijë opinioni paraprak i Komisionit të Venecias për emërimet në Gjykatën Kushtetuese.


    Por para mbërritjes së tyre është mësuar një pjesë e përfundimeve të tyre. Burime nga selia në Strasburg e Venecias bënë me dije për Ora News se në opinionin paraprak konstatohet se mënyra e veprimit të KED është e dyshimtë dhe se ligji për ndryshimin e betimit tek Presidenti është antikushtetues.

    Venecia vlerëson se Presidenti Meta ka vepruar sipas germes dhe logjikes kushtetuese.

    Nga ana tjetër Venecia konstaton se nuk ka bazë për shkarkimin e Presidentit, pasi veprimet e tij kanë qenë në përputhje me interpretimin e arsyeshëm të Kushtetutës.

    Por zyrtarisht dhe në detaje,Kuvendi dhe Presidenti Ilir Meta do të njihen në fundjave me dokumentin e hartuar nga zyrtarët e Komisionit, të cilët pritet t’i japin zgjidhje debatit për Kushtetuesen mes Kreut të Shtetit dhe mazhorancës.

    Kjo e fundit ka kërkuar opinion mbi faktin nëse Ilir Meta ka shkelur Kushtetutën duke mos thirrur për betim Arta Vorpsin dhe nëse zgjedhja e Marsida Xhaferllarit ka qenë përtej afateve të përcaktuara në Kushtetutë.

    Ndërkohë Presidenti në një arsyetim të gjatë ka kërkuar që Venecia të njihet me “puçin” kushtetues, siç e quan ai, ndërmjet Parlamentit dhe KED.

    Ai kërkoi një opinion nëse Ardian Dvorani nuk ka respektuar rendin kronologjik President-Parlament-Gjykatë e Lartë për emërimet në Gjykatën Kushtetuese.

    Pas opinionin paraprak, në fund të marsit do të ketë edhe dokumentin përfundimtar për t’u interpretuar nga palët e përfshira në këtë proces.

    Dekreti i Presidentit Meta për emërimet në Kushtetuese është objekt i punës i komisionit hetimor, i cili ka afat deri me 8 Prill.
    Por edhe nëse mazhoranca do të vendosë për të shkarkuar Presidentin Ilir Meta, do të duhet verdikti final i Gjykatës Kushtetuese, e cila në këto momente nuk ka kuorumin për të marrë vendim për këtë çështje./oranews

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!