×
  • Lajme
  • Shqipëria

    “Duam punë, duam bukë”, transporti publik kërcënon me grevë, policia shpërndan protestën

    Reporteri
    17 Qershor 2020 | 12:12

    Unioni i Shoqatave të Transportit ju rikthye sërish këtë të mërkurë protestave pavarësisht urdhrit të kryeministrit për të mos lejuar tubimet për shkak të pandemisë.


    Me thirrjet “Duam punë, duam bukë” ata u mblodhën fillimisht para Ministrisë së Infrastrukturës dhe më pas te Ministria e Financave.

    “Transporti publik është rrezik por më rrezik se fasonët dhe call-centerat nuk është. Ato nuk janë mbyllur fare dhe kanë qenë burim infeksioni. Ka shumë punëtorë që duan të shkojnë në punë, u janë bërë këmbët copë. Janë mbi 10 mijë punëtorë të transportit urban dhe interurban që kanë mbetur pa punë, me 400 mijë lekë nuk bëjnë dot asgjë. Duke u shtyrë më shumë nuk mbajmë dot familjet me bukë” tha një përfaqësues i tyre.

    Përsëritën edhe njëherë kërkesat për qeverinë.

    “Të pranohet akciza e naftës për transportin, të subvencionohet ai 30%, të bëhet një paketë e dytë 400 mijë lekësh për transportin, është muaji i katërt si do të jetojmë ne? Ata nuk po japin zgjidhje e shtyjnë me javë. Në çdo vend të botës transporti publik është hapur. Nëse qeveria do të zbatohet protokolli, qeveria duhet të mbështesë me ndihmë financiare.Të hapet puna.”

    Në rast të mosplotësimit të kërkesave të tyre ata paralajmëruan protesta të përditshme deri edhe në grevë.

    “Do të dalim përditë në protestë derisa të plotësohen kërkesat tona. Do të bëjmë dhe grevë për të drejtat tona, jo partitë”.

    Rreth orës 11:55, policia e shtetit u bëri disa herë thirrje për shpërndarje, duke deklaruar se tubimi është i paligjshëm.

    “Policia u bën thirrje të shpërndahen, grumbullimi juaj është i paligjshëm për shkak të pandemisë, përbën vepër penale. Ju lutem shpërndahuni. Policia e shtetit do të zbatojë ligjin”.

    “Nuk po ngacmojmë njeri, po kërkojmë të drejtat tona” tha një zonjë.

    Pasi thirrje nuk u dëgjuan, policia nisi shpërndarjen e protestës.

    Transporti publik, i parashikuar të hapej me 15 qershor, u shty me një javë nga Komiteti Teknik i Ekspertëve pas shtimit të rasteve me Covid.

    Ndërkohë ende nuk ka një datë të re për nisjen nga puna të shërbimit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!