×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Dy Kuvendet e PD, Basha ‘thyen’ rekordin e Berishës

    Reporteri
    18 Dhjetor 2021 | 17:30

    Partia Demokratike si asnjëherë më parë ka mbledhur Kuvendin Kombëtar dy herë brenda 7 ditëve.

    Një javë më parë, më 11 dhjetor, Kuvendi u mblodh pas firmave që siguroi ish-kryeministri Sali Berisha.

    Sekretariati Teknik i Kuvendit bëri me dije se në mbledhjen e mbajtur në stadiumin “Air Albania” morën pjesë 4,934 delegatë.

    Nga këta votuan 4,491, ku 4,446 vota ishin pro shkarkimit të Lulzim Bashës si kryetar partie kurse 36 vota ishin kundër dhe 9 të tjera të pa vlefshme.

    Në mbledhjen e 18 dhjetorit, kreu i Komisionit të Kuvendit Kombëtar, Jemin Gjana tha se pjesëmarrës ishin 5,004 delegatë.

    Ende nuk ka rezultat nga pjesëmarrja e votimit të fshehtë, por Gjana tha se do të bëhen publik emrat e pjesëmarrësve më 19 dhjetor.

    Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike sipas statusit të PD është organi më i lartë vendimmarrës i partisë.

    Në përbërja ka 7,646 delegatë, ku përfshihen anëtarët e Këshillit Kombëtar, anëtarët e Kryesisë, deputetët, anëtarët e kryesive të degëve, kryetarët e seksioneve të PD etj.

    Kuvendi i PD si rregull mblidhet çdo katër vjet por mund të propozohet mbledhje nga kryetari i partisë ose me firma të ¼ të delegatëve të saj ose ¼ firmave të anëtarëve të partisë.

    Kompetencat kryesore të Kuvendit janë miratimi i statutit dhe ndryshimet e tij, miratimin e programit, zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Kombëtar si dhe shkarkimin e kryetarit me mocion mosbesimi me shumicë votash.

    Thënë ndryshe në Kuvendin e thirrur nga Berisha do të mjaftonte vota pro e 3 824 delegatëve për shkarkimin e Bashës si kryetar partie.

    Shifrat e deklaruara për pjesëmarrje në dy Kuvendet e thirrura nga Berisha dhe Basha tejkalojnë numrin total të delegatëve.

    Mundësia e vetme në këtë situatë është që një numër i konsiderueshëm delegatësh të kenë marrë pjesë në të dy Kuvendet.

    Nisur nga retorika e fortë kundër njëri-tjetrit, një opsion i tillë ka shumë pak gjasa të ketë ndodhur realisht.

    Të dy kampet kanë vënë në dyshim shifrat e publikuara nga kundërshtari brenda partisë.

    Për verifikimin e vërtetësisë së pjesëmarrjes në dy Kuvendet nuk ekziston një komisioni mbi partizan dhe me gjasa do të mbesë përgjithmonë një enigmë.

    Berisha ka dorëzuar në gjykatë firmat e delegatëve pjesëmarrës, gjykata do t’i japë të drejtë ose jo për ndryshimin e Statutit dhe ka shumë pak mundësi që të bëjë verifikimin e delegatëve.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!