×
  • Lajme
  • Shqipëria

    E bëri Kosovën pjesë të Serbisë, Rama nuk jep asnjë shpjegim për skandalin me hartë

    Reporteri
    20 Nëntor 2019 | 11:03

    Për më shumë se pesë orë, në faqen zyrtare në Facebook të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, qëndroi një video në të cilën proklamohej një hartë ku Kosova shfaqej si pjesë e Serbisë.


    Postimi i Ramës ku tregonte për një investim për furnizim me ujë, e ku shihej edhe harta u editua pak orë më vonë, megjithatë, kryeministri i Shqipërisë, nuk e dha asnjë detaj se si kishte përfunduar e njëjta në profilin e tij.

    Express që pas publikimit të hartës ka provuar të kontaktojë me kabinetin e Ramës, mirëpo nëpunësit e tij nuk kanë qenë të qasshëm përmes telefonit.

    Megjithatë, të shumta qenë reagimet drejtuar atij. Ishte ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha që i tha tradhtar rivalit të tij në politikë, derisa e ka quajtur publikimin e hartës, akt flagrant të tradhtisë kombëtare.

    “Zografi bis në një akt flagrant të tradhtisë kombëtare, fshin Kosovën si shtet i pavarur dhe e paraqet atë si territor të Serbisë”, ka shkruar Berisha.

    Drejtuar Ramës pati edhe reagime nga liderët në vend. Ishte kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, që foli pas publikimit të hartës.

    Përmes një konference para mediave, Haradinaj e lidhi publikimin e kësaj harte me minishengenin ballkanik, që pati qenë cak i disa përplasjeve pak ditë më parë. Duke iu përgjigjur kryeministrit Rama, këtë ide Haradinaj e ka quajtur influencë të rusëve dhe kinezëve me epiqendër në Beograd.

    “Nuk është interes i Kosovës as i Evropës, Rusia dhe Kina janë të instalume në të gjitha aspektet në Beograd. A ka interes Kosova që me u zgjeru influence ruse e kineze në Evropë. Nuk është në interes, është proces që ka vetëm zgjerimin e influencës ruse e kineze”, deklaroi Haradinaj.

    Atij i ka reaguar dje në një përgjigje për Express edhe historiani Jusuf Buxhovi.

    Buxhovi, madje, pas këtij veprimi ka propozuar që Rama të shpallet “persona non grata” në Kosovë.

    “Veprimi më i ri i Ramës duhet parë si pjesë e komplotit politik kundër shtetit të Kosovës për interesat serbo-ruse në rajon, që nga politika e Kosovës duhet ndalur sa më parë dhe me të gjitha mjetet pa përjashtuar mundësinë që ai të shpallet persona non grata”, ka thënë Buxhovi.

    Në anën tjetër, zyrtari i LDK-së, Arben Gashi, është shprehur se edhe nëse është gabim ky skandal nuk i falet Edi Ramës.

    “Nuk i falet edhe nëse është e paqëllimshme që kryeministri i Shqipërisë me bë asi gabime”, ka thënë Gashi.

    Profesori universitar, Milazim Krasniqi, derisa ka shkruar për këtë temë, tha se Rama e ka publikuar qëllimisht hartën duke dashur që të provokojë.

    “Edi Rama nuk ka gabuar me hartën, ai thjesht ka provokuar. Kushdo që e njeh stilin e tij arrogant e hakmarrës, e ka lehtë ta kuptojë këtë provokim të tij të radhës. Me këtë rast Rama ka përcjellë idenë e tij arrogante: nëse nuk e doni minishengenin, atëherë ju jeni në Serbi”, ka thënë ai.

    Edi Rama që nga mospjesëmarrja e Kosovës në Samitin e Ohrit, ka acaruar marrëdhëniet edhe me presidentin Hashim Thaçi, derisa këtë të fundit e pati mbështetur fuqishëm për idenë e shkëmbimit me territore.

    Liderët në vend kanë kritikuar Ramën për pjesëmarrje në një Samit ku Kosova nuk njihet si shtet i pavarur.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!