×
  • Lajme
  • Shqipëria

    E zhdukur prej 1 muaji, 17-vjeçarja gjendet në banesën e një djali – Policia: I riu ka kryer marrëdhënie seksuale me adoleshenten

    Reporteri
    22 Nëntor 2021 | 11:42

    Një vajzë adoleshente, 17-vjeçare, e cila ishte larguar nga banesa një muaj më parë është gjetur nga policia në banesën e një 24-vjeçari i cili dyshohet që edhe të ketë kryer raporte seksuale me të renë.

    Më të rëndë situatën e bën fakti që policia ka gjetur në banesën që i riu kishte marrë me qira edhe kanabis, të cilin 24 vjecari e shiste. Dyshohet që e reja të ketë konsumuar edhe lëndë narkotike.

    Njoftimi nga Policia e Durrësit:

    Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në DVP Durrës, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit Operacional të Policisë Kriminale, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së narkotikëve, si dhe të kërkimeve për gjetjen e një 17-vjeçareje që ishte larguar nga banesa një muaj më parë, kanë bërë të mundur lokalizimin e vendndodhjes së saj.

    Gjatë kontrollit të ushtruar në zonën e plazhit, në një banesë të marrë me qira nga shtetasi Sh. F., 24 vjeç, banues në Durrës, shërbimet e Policisë kanë gjetur të strehuar 17-vjeçaren që ishte larguar nga banesa.

    Po gjatë kontrollit në këtë banesë, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar rreth 400 gramë lëndë narkotike cannabis sativa, të cilën ky shtetas e shiste me doza në zonën e plazhit në Durrës.

    Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ky shtetas ka kryer marrëdhënie seksuale me 17-vjeçaren.

    Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i 24-vjecarit Sh. F. dhe materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!