Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka zbuluar se çka i tha Presidenti i Francës, Emanuel Macron, për çështjen e vizave për Kosovën, gjatë qëndrimit të tij në Tiranë. Nga ajo që ka treguar Rama, Macron e ka lënë të hapur si mundësi “pezullimin” e vizave për kosovarët nëse liderët shtetërorë “nuk i hapin rrugë planit franko-gjerman”.
Sipas Ramës, presidenti francez “është i lënduar” pasi po angazhohet shumë për zgjidhje në dialogun Kosovë-Serbi përmes planit të ashtuquajtur franko-gjerman, shkruan Reporteri.net.
Madje, kryeministri shqiptar tha se deklarata e Macron për vizat, në konferencë, ishte e qartë.
“Si të gjithë të tjerët, por edhe ndoshta pak më shumë se të tjerët është i lënduar që edhe pse është angazhuar me Scholz për planin franko-gjerman, e që është gjëja më e mirë që mund t’i ndodh Kosovës në këtë fazë të historisë së saj, duke diskutuar me tha që s’jam i gatshëm të hapë rrugë nëse ata në Prishtinë nuk do t’i hapin rrugë mbi planin franko-gjerman. E tha edhe në konferencë. Dekkarata e tij është shumë e qartë”, tha Rama në TV Klan.
“U sollën në sulm se thua unë e bëra atë deklaratë. Sikur unë e kam fuqinë që t’i them Macronit bëjë këtë bëjë atë. Lexoni mirë atë që tha. Sepse foli për disa javë në vijim që janë javë oportuiniteti”.
“S’mund të merret peng komuniteti eurotlantik për t’i bërë karshillëk një përpjekje të tyre”, shtoi ai.
Një zëdhënës i ambasadës, tha se theksi i deklaratës së Macron më tepër ka qenë te presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, duke i kërkuar që të marrë përgjegjësi për sulmin terrorist të 24 shtatorit, në Banjskë.
“Gjatë konferencës për medie me Kryeministrin shqiptar, Edi Rama, Presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron, theksoi nevojën që të dyja palët të dëshmojnë një frymë përgjegjësie. Ai nënvizoi qartë pritshmëritë e tij nga presidenti serb Vuçiq: të dënojë me vendosmërinë më të madhe aktet e 24 shtatorit dhe të ndihmojë në rivendosjen e qetësisë në kufi”.
Ndërkaq çështja e vizave, Kosovës thuhet se iu dha si një gjest mirëbesimi, por që Macron nuk ka parë të njëjtat gjeste edhe nga liderët kosovarë, në përpjekje për t’i zgjidhur problemet me Serbinë. Ky, sipas zëdhënësit të ambasadës franceze, ishte konteksti i deklaratës së Macronit.
“Ai bëri thirrje për një frymë përgjegjësie të presidentit serb Vuçiq, dhe të njëjtat pritshmëri i kishte edhe nga presidentja dhe kryeministri kosovar. Pikërisht në këtë kontekst, ai përmendi edhe çështjen e liberalizimit të vizave, e cila ishte një gjest mirëbesimi, por që në këtë periudhë nuk ishte reciproke”.
Kosovarët supozohen që në janar të vitit 2024 të mund të udhëtojnë pa vizat, pas hyrjes në fuqi të sistemit ETIAS. /Reporteri.net/.