×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Euro shënon për të tretën herë nivelin e saj më të ulët ndaj lekut

    Reporteri
    25 Dhjetor 2019 | 7:04

    Monedha e përbashkët evropiane euro ka shënuar për herë të tretë brenda këtij viti nivelin e saj më të ulët kundrejt monedhës vendase – lekut.


    Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro është këmbyer në fillim të javës me 121.5 lekë, apo rreth 0.3 pikë më pak se fundi i javës që lamë pas. Ky është niveli më i ulët që euro shënon që nga 24 shtatori i këtij viti.

    Prej fillimit të muajit dhjetor, euro është zhvlerësuar ndaj lekut me një pikë. Deri më tani, niveli më i lartë i këmbimit të euros ndaj lekut është 125.92, më 29 shkurt të vitit 2019 , ndërsa niveli më i ulët i vitit deri më tani është 120.75 më 5 gusht, shkruan Koha Ditore.

    Ekspertët e këmbimit valutor në Shqipëri thonë se zhvlerësimi i ditëve të fundit ka ardhur për shkak të efekteve sezonale. Rikthimi i emigrantëve në vend duket se ka rritur sasinë e valutës në qarkullim, çka ka sjellë dhe devalvimin e saj.

    Në përputhje me vendimin e Komitetit të Zbatimit dhe Këshillimit të Politikës Monetare të datës 18.12.2018 për të blerë valutë nga bankat e nivelit të dytë gjatë vitit 2019, me objektiv rritjen e rezervës valutore, Banka e ShqipërisëS gjatë periudhës, ka organizuar 5 ankande të blerjes së valutës. Në ankandet e organizuara nga Banka e Shqipërisë janë blerë 42 milionë euro pas 39 milionë eurove dhe 18 milionë eurove të tjera të blera në dy 3-mujorët e mëparshëm, duke çuar totalin e blerjeve për vitin 2019 në 99.30 milionë euro. Por kjo nuk është hera e vetme që Banka e Shqipërisë ndërhyri në tregun valutor. Sipas statistikave zyrtare, Banka e Shqipërisë në 9-mujorin e vitit 2018 ka blerë 257.95 milionë euro në tregun e brendshëm , ku më shumë se gjysma e tyre kanë qenë ndërhyrje për të rregulluar kursin e këmbimit valutor. Rreth 221.25 milionë euro kanë shkuar për të ndalur rënien e monedhës evropiane për muajt qershor, korrik dhe gusht, dhe 36.7 milionë janë blerje për të rritur rezervën valutore.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!