Pas hetimit lidhur me faqen e ‘Instagramit’ ku publikoheshin foto, video intime dhe të dhëna me fjalë denigruese për adoleshentët, policia ka arritur të identifikojë dy vajzat “administratore”.
Dyshohet se vajzat minorene janë përgjegjëset për këtë faqe.
“Nga hetimi intensiv, u arrit të identifikoheshin dhe arrestoheshin dy shtetase, për veprën penale “Pornografia me të mitur”, parashikuar nga neni 117/2 i Kodit Penal, të cilat ishin të përfshira në këtë veprimtari kriminale: P.M, e cila ka qenë administratorja e profilit në Instagram. E.P, e cila është identifikuar si person përgjegjës për aplikacionin “Tellonym”, i lidhur me profilin e Instagramit”, njofton Policia.
Për tre ditë adoleshentët e Korçës u terrorizuan nga një faqe “Instagrami”, e cila bullizonte, denigronte dhe publikonte materiale pornografike të tyre.
Pas denoncimit të bërë nga një oficere e sigurisë në një prej gjimnazeve të Korçës, Sektori kundër Krimit Kibernetik në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit nisi hetimet për rastin dhe identifikimin e administratorëve të faqes.
Nën objektivin e sulmit të administratorëve anonimë të faqes e cila që në emër ishte denigruese, ishin vendosur nxënës të shkollave të mesme por edhe 9 vjeçare të qytetit. Disa nga adoleshentët e moshës 14-18 vjeç të cilët u bënë objekt i sulmit treguan se faqja ekziston prej disa vitesh dhe në mënyrë periodike është hapur dhe mbyllur.