Ekonomia shqiptare ka patur performancën më të fortë në rajonin e Ballkanit. Ky është konstatimi që bën raporti i Fondit Monetar Ndërkombëtar, i hartuar nga stafi i misionit dhe që këtë të premte u miratua pa debat nga Bordi Drejtues.
Ndër të tjera, raporti thekson se “roli në rritje i turizmit ka shtuar besimin te perspektiva ekonomike e vendit”.
Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se ekonomia shqiptare do të vijojë rritjen në nivelin 3.3%, ndonëse në ritme të moderuara e mbështetur kryesisht nga kërkesa për shërbime dhe investimet e huaja direkte.
Gjithashtu, FMN nënvizon se dhjetë muajt e parë të vitit 2023 kanë sjellë një pozicion fiskal shumë më të përmirësuar. Nga ana tjetër, mbiçmimi i Lekut sipas FMN është ndikuar nga eksportet e larta të shërbimeve, investimet e huaja direkte dhe remitancat.
Megjithatë, Fondi rekomandon përpjekje të mëtejshme për dëuroizimin, në mënyrë që të nxitet përdorimi i monedhës vendase si mjet ligjor.
FMN rekomandon që të ketë një konsolidim fiskal kuptimplotë, që të jetë i bazuar në rritjen e të ardhurave, duke filluar nga viti 2024, çka do te çonte në një ulje më të shpejtë të borxhit dhe do të reduktonte nevojat për financim bruto.
Një vlerësim bën raporti edhe për autoritetet shqiptare, të cilat sipas tij “e kanë drejtuar me sukses ekonominë përmes goditjeve të njëpasnjëshme, falë politikave të duhura makroekonomike.” /Tv Klan/
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.