Nga Forumi i Kryeprokurorëve që po zhvillohet në Tiranë, kreu i SPAK, Altin Dumani ka kërkuar bashkëpunim të shtuar rajonal për të goditur krimin e organizuar.
Sipas tij grupet kriminale janë të ndërlidhura dhe për t’i shpërbërë, duhet ndjekur shembulli i operacioneve të organizuara me Eurojust.
“Nuk na bashkon gjeografia, por lufta kundër krimit. Grupet dhe organizatat janë të ndërlidhura, për shpërbërjen e tyre duhet punë si rajon, më shumë hetime të përbashkëta, besim, vizion dhe ndarje informacionesh. Bashkëpunimi me Eurojust, nyje strategjike për bashkëpunim, pasi trajtuam raste komplekse duke punuar së bashku. SPAK ka numrin më të lartë të çështjeve. Në janar-maj janë zhvilluar 10 mbledhje, 23 skuadra hetimore me BE e rajonin, një skuadër me Amerikën Latine. Skuadrat e përbashkëta, hetimet financiare dhe rekuperimi i aseteve, ndarja e informacioneve në kohë reale”, tha Dumani.
Edhe Presidenti i Eurojust, Michael Schmid vlerësoi bashkëpunimin me vendet e Ballkanit Perëndimor në kuadër të goditjes së grupeve kriminale, që ushtrojnë aktivitetin kryesisht në trafikun e drogës dhe pastrimin e parave.
“Rajoni i Ballkanit Perëndimor ka qenë i rëndësishëm, pasi Austria ka lidhje historike me këtë pjesë të Europes. Ballkani Perëndimor është partner me rëndësi për Eurojust. Ju jeni një nga aleatët kryesorë në shumë aspekte, edhe në luftën kundër krimit. Të rrisim bashkëpunimin, pasi grupet kriminale punojnë dhe kalojnë kufijtë. Ne mendojmë se projekti për Ballkanin Perëndimor është sukses, të rrisim besimin reciprok, të rrisim bashkëpunimin mes BP dhe BE. Kemi pasur shume hetime të përbashkëta për mashtrimet online, janë arrestuar qindra persona dhe janë sekuestruar prona të shumta, vitin e shkuar katër grupe mes vendeve te BP. Ato u morën me trafikimin e drogës, falsifikimin e parave. U mbështetën 50 aksione. Synojmë të mbështesim hetimet ndërkufitare dhe dialogun strategjik”, u shpreh ai.
Sakaq, ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato vendosi theksin te ndjekja e parave me burim aktivitetet e jashtëligjshme, duke kërkuar kalimin e ligjit për ngritjen e një Agjencie të posaçme në këtë drejtim.
“Krimi dhe korrupsioni gjenerojnë pasuri e para dhe ato duhen gjurmuar, kapacitetet ligjzbatuese duhet të rriten, duhen veprime konkrete për krimet financiare. Identifikimi i të ardhurave nga krimi me shumë rëndësi, presim nga Shqipëria miratimin e një ligji të posaçëm për ngritjen e Agjencisë përkatëse. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të jetë e dukshme në të gjitha nivelet, bashkëpunimi me aktoret e tjerë është i nevojshëm me policinë, doganat, tatimet, sektorin privat etj… Bashkëpunimi efektiv për luftën ndaj krimit dhe viktimave të tij. Korrupsioni në nivele të larta është kërcënim i sigurisë. Krimi e përdor korrupsionin për të pasur akses. Forcimi i sundimit të ligjit, shumë i vlefshëm. Puna juaj ndikon në integrimin e vendit në BE”, tha Gonzato. (