Dyqanet në Durrës dhe qytete të tjera të vendit, u përballën me një kërkesë të pazakontë për produktet bazë të shportës ushqimore të hënën, pasi Ministria e Shëndetësisë konfirmoi zbulimin e dy rasteve të parë të infektimit me sëmundjen Covid – 19.
“Sot në orën 9 të mëngjesit ishim në punë dhe morëm vesh për rastet e zbuluara në Shqipëri me virus”, tha Afërdita, nënë e 4 fëmijëve, teksa priste bashkëshortin në rrugën ‘Kristaq Rama’ në Durrës.
“Ajo mos raftë [coronavirusi] se po ra të shuan,” shtoi 40-vjeçarja, duke e krahasuar virusin me tërmetin e 26 nëntorit, ndërsa i shoqi u duk me dy qese të mëdha me ushqime. Për çiftin durrsak ky nuk ishte pazari i zakonshëm i të hënës.
Mbrëmjen e së dielës Ministria e Shëndetësisë njoftoi zbulimin e dy rasteve të para të regjistruara me coronavirus në Shqipëri.
“Konfirmohen dy raste të importuara me COVID-19 në Shqipëri,” njoftoi Ministria e Shëndetësisë në faqen e saj në Facebook.
“Gjendja e dy të prekurve, babë e bir që kanë udhëtuar nga Firence në Tiranë është e stabilizuar dhe nuk paraqesin komplikacione”, shtoi njoftimi, duke ekspozuar kështu “pacientin 0” që ka importuar virusin nga shteti fqinj.
Që nga dita e dielë numri i pacientëve të prekur me Covid-19 është rritur në 10 persona, ndërkohë qeveria ka mbyllur shkollat, çerdhet dhe kopshtet për dy javë dhe ka mbyllur kufijtë ajrorë dhe detarë me Italinë.
Këshilli i Ministrave vendosi të hënën që Shtëpinë e Pushimit të Ushtarakëve në Plepa të Durrësit ta kthejë në karantinë për trajtimin e personave të prekur nga virusi, në rast të zgjerimit të numrit të të prekurve.
Aktualisht Spitali Infektiv pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është përshtatur si karantinë me 76 shtretër për trajtimin e të prekurve nga coronavirusi.
Një ngarkesë të shtuar pohuan edhe autoritet shëndetësore në Durrës, pasi një numër të lartë personash paraqiten në spital edhe për një temperaturë të thjeshtë, me ankthin mos është një nga simptomat e virusit vdekjeprurës.
Coronaviruset janë një familje e madhe virusesh që shkaktojnë sëmundje nga më të lehtat deri tek ato tepër të rënda. Ato janë të përhapur në shumë lloje të kafshëve dhe rrallë evoluojnë, transmetohen, infektojnë njerëzit dhe më pas përhapen midis tyre.
Coronaviruset humane u identifikuan për herë të parë në vitin 1960 dhe deri në vitin 2019 njiheshin 6 të tillë nga të cilët 4 të zakonshëm, ndërsa dy prej tyre kanë patogjenitet të lartë – SARS – CoV që shkakton Sindromën Respiratore Akute të Rëndë dhe MERS – CoV që shkakton Sindromin Respirator të Lindjes së Mesme.
Ndërkohë, Coronavirusi i ri COVID- 19 e ka burimin nga qytetit Wuhan, provinca Hubei, në Kinë, ku u zbulua në dhjetor 2019.
Ashtu si sëmundjet e tjera të rrugëve të frymëmarrjes, infeksioni i ri nga COVID-19 mund të shkaktojë simptoma të lehta si ftohje, dhimbje fyti, kollë dhe ethe, ose simptoma më të rënda si pneumoni dhe vështirësi në frymëmarrje. Rrallëherë mund të jetë fatale.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë numri i të infektuarve në të gjithë botën deri pasditen e së hënës arriti në 110 mijë, me rreth 4 mijë raste të reja të shënuara në 24 orët e fundit, ndërkohë që raportohen 3809 viktima për shkak të kësaj sëmundje. (reporter.al)