×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Fushë Krujë: E droguan dhe e keqpërdorën seksualisht, i vihet tritol banesës së 17-vjeçares

    Reporteri
    13 Korrik 2020 | 10:19

    Një sasi tritoli është vënë gjatë natës së kaluar në oborrin e një banese, në Fushë Krujë.


    Tritoli është vënë në banesën e 17-vjeçares, e cila ishte shfrytëzuar seksualisht nga katër persona, që ushtronin edhe veprimtarinë kriminale në fushën e kultivimit të kanabisit.

    Katër të rinjtë u arrestuan një ditë më parë, pas një hetimi disamujor.

    Po ashtu janë shpallur në kërkim edhe dy persona të tjerë të implikuar në ngjarjen e rëndë.

    Policia ka identifikuar autorin që ka vendosur pakon me lëndë plasëse artizanale në banesën e adoleshentes, që është shtetasi me inicialet A.B. i shpallur në kërkim edhe për ngjarjen e një dite më parë, por që fatmirësisht nuk ka shpërthyer.

    Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë ekspertët e anti-eksplozivit të RENEA-s, të cilët kanë hequr lëndën e rrezikshme.

    Një ditë më parë, policia njoftoi se të arrestuarit “kanë nxitur për përdorimin e drogës një 17-vjeçare dhe e kanë shfrytëzuar seksualisht atë”, njofton Ballkanweb.

    Njoftimi i policisë:

    Hodhi një pako me lëndë plasëse artizanale në ambientet e jashtme të një banese, por pa shkaktuar shpërthim, Policia në kohë rekord identifikon dhe shpall në kërkim autorin e dyshuar të ngjarjes.

    Më datë 12.07.2020, rreth orës 23:00, në ambientin e jashtëm të banesës së shtetases M. F., në Fushë Krujë, është gjetur një pako brenda së cilës dyshohej se kishte lëndë plasëse, e cila nuk ka shpërthyer.

    Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat antieksploziv të RENEA-s dhe pas verifikimeve ka rezultuar se brenda pakos kishte një sasi të vogël lëndë plasëse artizanale.

    Si rezultat i hetimeve grupi hetimor ka bërë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje, i cili është shtetasi A.B., dhe po punohet për kapjen e tij.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!