Ndërhyrja e IKMT-së për të prishur një sërë godinash në bregdetin e Velipojës, ka sjellë këtë të enjte një sërë përplasjesh mes policisë e pronarëve të biznesve, të cilët tentuan të mbrojnë me çdo kusht pronat e tyre.
Por pavarësisht rezistencës së banorëve, IKMT e shoqëruar dhe nga forcat speciale të policisë, ka nisur shembjen e godinave.
Gjatë aksionit, pati dhe momente tensioni e përplasjesh të cilat kulmuan në orët e pasdites me hedhjen edhe të gazit lotsjellës. Madje një gruaje i ka rënë të fikës për shkak të gazit dhe përplasjeve mes palëve.
Kujtojmë se situata qëndronte e tensionuar prej dy ditësh në këtë zonë, pasi pronarët e objekteve kanë deklaruar se prishja e godinave është antiligjore. Shumë prej tyre kanë qenë dhe në procese të legalizimit.
Po këtë të enjte, në zonë mbërriti dhe kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi, e cila e konsideroi tentativën e IKMT-së si të paligjshme. Ademi u shpreh se IKMT madje kishte përdorur dhe emrin e Bashkisë së Shkodrës, për të legjitimuar aktin.
“Unë pardje kam marrë një telefonatë nga ministria e Mjedisit dhe dje kemi qenë në takim. Ndërkohë që unë po hyja në takim jam njoftuar që kishin filluar të rrethonin objektin. Po përdorin edhe emrin e bashkisë Shkodër. Kur ka një vendim të IKMT, është bashkia Shkodër që jep urdhrin. Nuk ka bërë ndonjëherë vaki që IKMT me procesverbal të bashkisë Shkodër të marrë urdhër. E bën urdhrin vetë për procesverbalet e veta. Mungesa e transparenca, përdorimi politik, keqmenaxhimi në dëm të biznesit, dëmi që po shkaktohet. Duhet të merret në konsideratë mirëmbajtja. Nuk rregullohet vendi duke shkatërruar. Ne ishim në mbledhje dje për këtë qëllim dhe këtu filluan prishjet.”- u shpreh Ademi.
LSA ka kapur disa prej momenteve të përplasjeve, të cilat mund t’i shihni më poshtë.