×
  • Lajme
  • Shqipëria

    GJKKO rrëzon kërkesën e Adriatik Llallës për pezullim të vendimit

    Reporteri
    14 Tetor 2021 | 11:07

    Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit (GJKKO) të enjten e 14 tetorit ka rrëzuar kërkesën për pezullim dhe shtyrjen e ekzekutimit të vendimit, për dënimin e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla.

    Avokati i tij mbrojtës e ka depozituar kërkesën më 9 tetor 2021.

    Ajo erdhi një ditë pasi Llalla u shpall në kërkim ndërkombëtar nga Prokuroria e Posaçme (SPAK).

    Më 22 shtator, policia shkoi për të zbatuar urdhrin e arrestit, por Adriatik Llalla, nuk u gjend në shtëpi. Pas kësaj policia e shpalli në kërkim kombëtar.

    Banesa e ish-kryeprokurorit, Adriatik Llalla

    Vendimi për dënimin e ish-kryeprokurorit, qëndroi në fuqi edhe pas apelimit që ai i bëri çështjes rishtazi.

    Llalla është dënuar me vendim të formës së prerë me dy vjet burg dhe pesë vjet përjashtim nga çdo post dhe funksion publik.

    Avokati i tij, Sokol Hazizaj, pasi doli nga seanca gjyqësore e 22 shtatorit, ku Llalla nuk ishte sërish i pranishëm për arsye të pretenduara shëndetësore, deklaroi publikisht, se nuk kishte dijeni mbi vendodhjen e ish-kryeprokurorit.

    Madje, ai shtoi se kishte disa kohë që nuk e kishte parë. Hera e fundit kur kishte kontaktuar, ishte me rastin e dhënies së një raporti mjekësor, ku shkruhej se Llalla, e kishte të pamundur të merrte pjesë në seancë, pasi vuante nga një sëmundje e pashërueshme.

    Një sëmundje, e cila Llallën, minimalisht, nuk e ka lënë në shtëpi. Maksimalisht, ka hipoteza se ai mund të jetë jashtë shtetit, edhe pse e kishte të ndaluar të lëvizte, deri në marrjen e vendimit ndaj tij.

    Akuzat ndaj Llallës

    Do të ishte Prokuroria e Durrësit, ajo që do të regjistronte procedimin e parë penal për ish-kryeprokurorin Llalla.

    Në mars të 2018-ës, mbi të do të rëndonin katër akuza.

    E para ishte ajo e pastrimit të produkteve të veprës penale, më pas e shpërdorimit të detyrës, mosdeklarimit të të ardhurave, si dhe mosdeklarimit të shumave të të hollave në kufi.

    Më pas, u kalua për kompetencë tek ish-Krimet e Rënda dhe SPAK. Ai u akuzua nga SPAK-u për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”.

    Ish-prokurori u gjykua për veprën penale të fshehjes sё pasurisё. Ndërkohë, ishte vendosur dhe njё hetim pёr pastrimin e parave.

    Në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata e Posaçme vendosi për sekuestrimin e pesë pasurive të paluajtshme të ish-kryeprokurorit. Ky vendim erdhi pas një kërkese të SPAK-ut.

    Në përfundim të hetimit, SPAK vlerësoi se, ndaj tij, provohej vetëm akuza e “mosdeklarimit të pasurisë”.

    Pasi përfundoi mandatin e kryeprokurorit, Llalla dha dorëheqjen nga sistemi dhe nuk iu nënshtrua vettingu-t.

    Ndërsa Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli atë non grata, duke i ndaluar atij dhe familjes hyrjen në SHBA.

    Apel pas Apeli

    Më 20 maj 2021, Adriatik Llalla do të dënohej nga Gjykata e Posaçme me dy vjet burgim dhe pesë vjet përjashtim nga çdo post publik.

    Ky vendim do të vinte pasi në shkurt 2021, Gjykata e Lartë pati vendosur të sekuestronte disa pasuri të ish-kryeprokurorit.

    Por ai nuk do ta pranonte vendimin dhe do ta apelonte më 3 qershor 2021. Seanca e radhës, u caktua në korrik./albanian post

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!