Gjykata e Posaçme ka shpallur fajtor ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla për akuzën e “refuzim për deklarim” dhe “fshehje pasurie”.
Gjyqtarja Daniela Shirka dënoi me 2 vite burg ish-kryeprokurorin dhe i hoqi drejtën e ushtrimit të funksioneve publike për një periudhë 5-vjeçare.
Ndërkohë, Llalla është shpallur fajtor edhe lidhur me shpenzimet për lindjen djalit të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një kosto kjo prej 7 mijë dollarësh.
Sakaq, Llallës i janë sekuestruar edhe 4 sipërfaqe toke në periferi të Tiranës si dhe një apartament në Durrës, të cilat do të kalojnë në pronësi të shtetit.
Pas këtij vendimi ish-prokurori i Përgjithshëm nuk do të shkojë në qeli, pasi ky është një vendim i shkallës së parë dhe jo një vendim i formës së prerë.
Në seancën e zhvilluar mëngjesin e sotëm, Llalla paraqiti mbrojtjen, ku kërkoi pafajësi, pas pretencës të dorëzuar nga prokurori i SPAK, Klodian Braho.
Avokati i ish-kryeprokurorit, Sokol Hazizaj deklaroi se akuzat ndaj klientit të tij janë stisura.
“Në 2016 Adriatik Llalla mori para borxh për të çuar familjen në Gjermani për shkak të kërcënimeve. Llalla në asnjë moment nuk ka fshehur pasuri që kur ka qenë subjekt deklarimi”, u shpreh avokati.
Sa i përket shumës prej 7 mijë dollarë për lindjen e djalit të tij në SHBA, avokati tha se pagesat janë bërë nga një mik i klientit të tij, shqiptaro-amerikan, i cili erdhi dëshmoi në Shqipëri për këtë çështje.
Në gjyqin ndaj Llallës ishin të pranishëm në sallë edhe përfaqësues të ambasadës amerikane.