SPAK ka kërkuar 19 vite burg në mungesë për Talo Çelën, në lidhje me grabitjen e 4.5 milionë eurove në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, ngjarje e ndodhur më 9 prill 2019. Aktualisht Talo Çela ndodhet në arrati dhe është shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare si një nga 5 personat më të rrezikshëm në vend.
Kjo ishte edhe arsyeja pse çështja në ngarkim të tij u nda nga pjesa tjetër e të akuzuarve në lidhje me grabitjen e parave.
Talo Çela, që prej vitit 2019 rezulton të jetë personi më i kërkuar në Shqipëri. Ai është 53 vjeç me origjinë nga Elbasani.
Për vjedhjen e 4.5 milionë eurove, u gjetën fajtorë dhe janë dënuar me 122 vite burg në total 7 persona të tjerë.
Mes tyre janë Kelment Çala, i konsideruar si një nga njerëzit kryesorë në organizimin dhe finalizimin e grabitjes si dhe vëllai i tij, Eldi Çala, respektivisht me 20 dhe 17 vjet burg.
Në ngjarjen në fjalë, disa nga të pandehurit u futën me një furgon brenda perimetrit të sigurisë së aeroportit, iu afruan një avioni dhe nën kërcënimin e armëve morën vlerën e konsiderueshme të parave.
Në largim, gjatë ndjekjes së policisë, në rrethana që ende nuk janë qartësuar nga hetuesit u vra një prej grabitësve Admir Murataj, i konsideruar po ashtu një nga personat kyç në organizimin e grabitje.
Talo Çela u shpall në kërkim edhe në kuadër të operacionit të koduar “Plumbi i Artë”, që çoi në kapjen e Nuredin Dumanit, Henrik Hoxhajt si dhe të disa personave të tjerë, pjesë e botës së krimit.