Drejtorësha e spitalit të Fierit dhe mjeku toksikolog kanë dalë në deklaratë për median këtë të mërkurë, për të dhënë më shumë detaje në lidhje me helmimin e një sërë nxënësve të shkollës ‘Janaq Kilica’.
Mjeku toksikolog Lulzim Banushi u shpreh se nxënësit janë paraqitur me simptoma të lotimit të syve dhe të vështirësisë në frymëmarrje. Sipas tij situata shëndetësore e nxënësve nuk është e rënduar dhe se përjashtohen rastet e rrezikut për jetën.
Mjeku: Nxënësit kanë pasur simptoma si lotim i syve, kolla, me vështirësi në frymëmarrje, por në tërësi rastet nuk kanë qenë të rënda. Janë raste nën mesataren, jo intonksinuar rëndë. Kjo është një lloj lënde që jep efekte negative tek rrugët e frymëmarrjes, si lotimi i syve, teshtima etj. Por janë simptoma që nuk kanë rrezik për jetën. Jo të gjithë pacientët e paraqitur ishin të intoksikuar, për arsye se një pjesë e tyre ishin edhe me shqetësime psiko-emocionale, gjendje stresi dhe ankthi, ndoshta të krijuara edhe nga momenti. Pacientët kanë probleme me gjendjen psiko-emocionale dhe duhet të qetësohen deri në fund.
Drejtoresha e spitalit Nevila Shuke u shpreh se aktualisht janë 14 nxënës që po mbahen nën monitorim, teksa shtoi se ka patur mjaft raste ku në spital janë paraqitur nxënës me ndjenja ankthi për gjithçka ndodhi në shkollë.
Drejtoresha: Nxënësit e parë në Spitalin e Fierit janë paraqitur rreth orës 11.00. Janë paraqitur 30 nxënës. Më pas ka vazhduar numri tek 50 nxënës dhe 10 rastet e fundit kanë ardhur më shumë me simptoma ankthi dhe gjithsej janë afërsisht 60 pacientë, 2 mësuese dhe 58 nxënës. Aktualisht 14 nxënës janë në monitorim. Gjithë stafi i Spitalit Rajonal të Fierit ka qenë i angazhuar për përballimin e situatës. Gjendja e 14 nxënësve që janë në monitorim tanimë është shumë e mirë, ata janë jashtë rrezikut për jetën dhe për situatën. Janë marrë të gjitha analizat toksologjike nga instancat e tjera dhe se situata po shikohet nga afër, si në rastin e parë ashtu edhe në rastin e dytë. Janë cuar të gjitha ekzaminimet laboratorike pranë institucioneve përkatëse, të cilat do nxjerrin përfundimet e gjithë situatës.
Kujtojmë se rreth 10 ditë më parë në po të njëjtën shkollë u paraqit sërish një rast i helmimit të disa nxënësve. Në rastin e parë u tha se helmimi kishte ardhur nga një eksperiment kimie dhe në rastin e kësaj të mërkure dyshohet se shkaktar ka qenë i njëjtin nxënës, i cili po ashtu dyshohet se ka hedhur në klasë ‘peper spraj’ (spraj piperi).