Në Korçë një qytetare ka denoncuar një veprim të pakëndshme sesi një infermier i urgjencës së spitalit të qytetit ofronte shërbim në shtëpi kundrejt një pagese prej 5000 lekësh në ditë, përveç ilaçeve që shkonin deri në 100.000 lekë.
Ngjarja u zbulua nga emisioni investigativ ‘Fiks Fare’ përmes një kamere të fshehtë, ku është filmuar infermieri Nikolin Ciko, pas ankesës së një qytetareje, nënës së të cilës ai i injektonte medikamentet kundër Covid.
Zonja denoncoi se e gjithë kura për mamanë e saj me gjithë shërbimin e infermierit kushtoi 4000 lekë në ditë dhe në përfundim totali i parave të paguara ishte 100.000 lekë, por gjendja shëndetësore e nënës të saj nuk kishte përmirësim. Po ashtu ajo u shpreh se në recetën e ilaçeve të plotësuar nga infermieri përveç antibiotikëve, kortizon dhe disa medikamente të tjera nuk rezultoi të ishte shënuar asnjë emër mjeku apo pacienti.
“Filluam të dyshonim për infermierin edhe nga fakti që ai i shërbente pa veshjen përkatëse kundër infektimit nga virusi Covid 19, dhe në këto kushte i bëmë një skaner. Rezultati që doli nga skaneri tregoi se nuk ishte infektuar nga virusi Covid-19, por nga një bakter tjetër dhe se mjekimi që deri më tani kishte marrë nuk kishte qenë i rregullt”, thtë ndër të tjerash denoncuesja.
Pas denoncimit të ardhur në emision, ky i fundit realizoi një kamerë të fshehtë ku një i infiltruar kërkoi ndihmën e infermierit për t’i kryer shërbimin të afërmit të tij me Covid. Nga biseda, infermieri tregon pagesën që kërkon dhe se nuk është e nevojshme që pacientit t’i bëhet skaner, por vetëm analiza. Në bazë të tyre nëse një bakter del në përqindje të lartë duhet të fillojnë menjëherë mjekimin .
Infermieri thotë se shërbimin në shtëpi mund ta kryejë në çdo kohë duke u shkëputur nga puna e tij në spital, madje ai shkon edhe më tej kur pohon se mund t’i çojë pacientit në shtëpi sanitaret e spitalit që t’i shërbejnë nëse ai do të ishte me banim në Korçë.
Për situatën e zonjës që e denoncoi, infermieri Ciko pyetet nga gazetarja e emisionit për të cilën shprehet:
“Me grafi e kuptuam që kishte Covid. Nuk e di kush e ka lëshuar recetën. Ai mori ilaçet në farmaci dhe unë ia injektova. Nuk bëj ilaçe me mendjen time. Kishte bërë analizë në klinikën private, ishte me Covid”.
Ndërsa për ngjarjen qytetarja denoncoi se i kishte ndodhur edhe familjarëve të saj, Skënder Brataj, shef i Urgjencës Kombëtare, i pyetur nga gazetarja e emisionit, nuk e përmendi se kishte informacion për një veprim skemë të tillë nga infermierët:
“Nëse ka shenja të lehta mund të kontaktojë mjekun, mund të shkojë në Urgjencë apo të telefonojë 127. Gjithmonë mjekimin e përcakton mjeku, infermieri ekzekuton atë që mjeku shkruan”.