Mustafa Sirat, një ish zyrtar i qeverisë afgane, tashmë refugjat në Shqipëri, tregoi për SYRI TV, ndryshimin e jetës në pak ditë. Ai foli për punën dhe shërbimet në kabinetin qeveritar si dhe bashkëpunimin me amerikanët, ndërsa tregoi se është i paqartë se çfarë do të bëhet me të ardhmen e tij dhe të familjes. Martin Marku nga Lezha sjell historinë e Mustafa Sirat.
Mustafa Sirat, është një nga refugjatët e ardhur këto ditë nga Afganistani, i cili do të qëndrojë përkohësisht në Shqipëri. Ai pranoi të flasë për SYRI TV, ku tregoi të shkuarën e tij si dhe jetesën në Afganistan, ku vetëm pak javë më parë punonte si zyrtar i lartë i qeverisë.
Sirat: Unë kam punuar në shumë organizata që nga viti 2011,më së shumti në organizata të SHBA, Bankës Botërore dhe shumë organizata të tjera për të drejtat e njeriut.
Por dhe në detyra shtetërore si pjesë e Ministrisë së Financës, Ministrisë së Publikut. Ishte mirë, por fatkeqësisht ka ndryshuar. Ishte mirë por tani gjërat kanë ndryshuar dhe u bë e rrezikshme për mua sepse unë punoja për qeverinë dhe për projekte të SHBA.
Gruaja ime punonte si drejtoreshë në Ministrinë e Arsimit dhe Edukimit në Kabul.
Shqipëria nuk është një vend i panjohur për refugjatin afgan, pasi tregon se ka pasur njohje të mëhershme për sistemin komunist këtu. Mustafa Sirat tregon gjithashtu se për të e ardhmja është e paqartë.
Sirat: Unë kisha një jetë shumë të mirë në Afganistan, shtëpi, ndërtesë, punë dhe makina. Por tani në Shqipëri jam më i sigurt sepse Shqipëria është e paqtë.
Njerëzit në këtë vend janë shumë të sjellshëm. Unë kam dëgjuar më parë për Shqipërinë, për periudhën e komunizmit. Nuk mund të them nëse do të rri këtu sepse është ende e paqartë, janë projekte të SHBA, fakti që na solli këtu.
Ish–zyrtari i qeverisë afgane dhe bashkëpunëtor në projekte të ndryshme ndërkombëtare në vendin e tij, tregon gjithshtu se në Afganistan ka ende të afërmit e tij, prindërit dhe familjarë të tjerë, të cilët tashmë janë nën regjimin e ri të talebanëve.